Aksion i Prokurorisë ndaj BKS-së, çfarë u sekuestrua në operacionin e djeshëm?
Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Prizrenit, ka realizuar të enjten një aksion të gjerë në të gjithë territorin e Kosovës, në kuadër të hetimeve për keqpërdorime të rënda financiare në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS).
Sipas njoftimit zyrtar, 39 persona janë arrestuar, ndërsa janë sekuestruar mbi 1.3 milion euro në llogari bankare, 23 mijë e 700 euro para të gatshme, ari, aksesorë të ndryshëm, orë dore, dy armë zjarri, pajisje elektronike, si dhe dokumentacion kontraktor dhe ujdi të dyshuara.
Prokuroria bën të ditur se të dyshuarit, në kundërshtim me rregulloret dhe procedurat e brendshme të BKS-së, kanë realizuar pagesa pa dokumentacion mbështetës, përmes dokumenteve të falsifikuara dhe transaksioneve fiktive.
“Me këto veprime, të pandehurit i kanë shkaktuar Byrosë Kosovare të Sigurimeve dëm material në vlerë prej 1 milion e 43 mijë e 248 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale: keqpërdorim i besimit, keqpërdorim i autorizimeve ekonomike, falsifikim dokumentesh, si dhe ndihmë në keqpërdorim të besimit, sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në mesin e të dyshuarve janë edhe ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku, si dhe ish-drejtori i Financave, Valon Berisha. Sipas hetimeve, ata dyshohet se kanë autorizuar pagesa në emër të sigurimeve për qytetarë të ndryshëm, në vlera prej mijëra eurosh.
Prokuroria dyshon se një pjesë e këtyre mjeteve u është kthyer atyre në formë parash të gatshme (cash) nga përfituesit.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, në konferencë për media bëri të ditur se hetimet për këtë rast kanë nisur në mars të vitit 2025 dhe janë zhvilluar përmes veprimeve intensive hetimore.
“Cak i hetimeve janë ish-drejtori ekzekutiv i BKS-së dhe ish-drejtori i departamentit financiar, të cilët duke keqpërdorur autorizimet që iu janë besuar, kanë mundësuar transaksione të ndryshme për përfitime personale dhe për persona të tretë, duke i shkaktuar BKS-së dëm mbi një milion euro”, deklaroi Kryeziu.
Sipas Kryeziut, deri në këtë fazë janë identifikuar 166 transaksione të dyshimta.
“25 transaksione lidhen me 12 persona, me të cilët janë arritur ujdi fiktive jashtëgjyqësore, kinse për përfaqësim në raste aksidentesh, ndonëse disa prej tyre kishin përfunduar kompensimet vite më parë. Po ashtu, janë identifikuar edhe 143 transaksione të tjera pa asnjë dokument mbështetës, me shuma që variojnë nga mbi 6 mijë deri në 68 mijë euro”, tha ai.
Në total, hetimet kanë përfshirë 47 persona, duke përfshirë edhe një person juridik, ndërsa për 39 prej tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Kapiteni i Policisë së Kosovës, Fatmir Karaliti, bëri të ditur se në operacion janë angazhuar rreth 400 zyrtarë policorë.
“Pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, operacioni është zhvilluar me sukses në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, deklaroi Karaliti.
Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masave të mëtejme për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.