Policia jep detaje për incidentin në Klinë, ku dy persona u therën me thikë - i treti në arrati

Policia jep detaje për incidentin në Klinë, ku dy persona u therën me thikë - i treti në arrati

Kronika January 13, 2026 - 12:54

Policia e Kosovës ka konfirmuar se incidenti në Klinë ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes tre personave, të cilët fillimisht kanë qenë në një lokal dhe më pas kanë dalë jashtë, ku ka eskaluar situata në përleshje fizike.

“Dy persona dyshohet se janë lënduar nga një mjet i mprehtë, konkretisht thikë. Të njëjtët janë dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë”, ka konfirmuar për “Zërin” zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Po ashtu Gashi tha se një person tjetër i përfshirë në rast është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Policia ka bërë të ditur se njësitet relevante janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe kapjen e tij.

Rasti është duke u hetuar dhe organet e rendit po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme procedurale. /Zëri