Aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare ndaj një mjeku në Vushtrri
Prokuroria Themelore në Mitrovicë -Departamenti për Krime të Rënda, ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj mjekut nga Vushtrria A.V., për shkak të kryerjes së veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar në vazhdim”.
“I pandehuri akuzohet se nga data 20.07.2025 deri më datë 28.10.2025 në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vushtrri, me dashje në cilësinë e personit zyrtar si specialist i mjekësisë familjare, me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për vete në atë mënyrë që ka lëshuar raporte mjekësore sipas kërkesës së pacientëve duke e ditur se personat në fjalë, pacientët nuk vuajnë nga sëmundje të tilla, duke i pyetur se çfarë diagnoze t’ua shënojnë me qëllim që të njëjtit këto raporte mjekësore t’i përdorin për hapjen e pushimeve mjekësore në kundërshtim me Ligjin Nr. 03/L-212 e Punës, po ashtu ka përshkruar barna pacientëve sipas rekomandimeve të agjentëve farmaceutik, ku pas lëshimit të raporteve mjekësore ka pranuar dobi pasurore - para nga pesë deri në pesëdhjetë euro”, thuhet në njoftim.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka kërkuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprën penale që i vihet në barrë me këtë aktakuzë dhe të njëjtit t’i shqiptojë sanksion penal të paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. /Zëri