Zjarr në një shtëpi në fshatin Gracë të Vushtrrisë, vdes një e moshuar
Foto: Laura Hasani

Zjarr në një shtëpi në fshatin Gracë të Vushtrrisë, vdes një e moshuar

Kronika January 15, 2026 - 23:40

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Gracë të Vushtrrisë, ku një shtëpi banimi është përfshirë nga flakët, duke i marrë jetën një gruaje të moshuar.

Lajmin e ka konfirmuar Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë për rajonin e Mitrovicës.

Sipas tij, rreth orës 22:20 Policia ka pranuar njoftimin se një shtëpi ishte përfshirë nga zjarri, ndërsa njësitet policore dhe zjarrfikëse kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

“Si pasojë e përfshirjes së shtëpisë nga zjarri, në vendngjarje ka humbur jetën viktima femër, rreth 80-vjeçare. Ekipet emergjente mjekësore kanë konstatuar vdekjen e saj në vendin e ngjarjes,” ka deklaruar Zahiti.

Hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorin kompetent, po ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion./telegrafi