Digjet një shtëpi në Vushtrri, vdes 80-vjeçarja
Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e së mërkurës në fshatin Gracë të Vushtrrisë, ku një shtëpi banimi është përfshirë nga zjarri, me pasojë humbjen e jetës së një gruaje.
Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 22:20 është pranuar informata për shpërthimin e zjarrit në një shtëpi banimi në këtë fshat. Njësitet policore dhe ekipet e zjarrfikësve kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të menaxhuar situatën, transmeton Zeri.info.
Si pasojë e zjarrit, në vendngjarje ka humbur jetën një grua rreth 80-vjeçare. Ekipet emergjente mjekësore kanë konstatuar vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes.
“Si pasojë e përfshirjes së shtëpisë nga zjarri , në vendngjarje ka humbur jetën viktima femër, e moshës rreth 80-vjeçare. Ekipet emergjente mjekësore kanë konstatuar vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes. Hetuesit policorë në koordinim me Prokurorin kompetent janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion”, thuhet në njoftimin e Policisë
Tutje thuhet se, hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorin kompetent, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje, e cila po trajtohet si vdekje e dyshimtë. /Zëri