Konfiskohen rreth 80 kg drogë në Podujevë, arrestohen tre të dyshuar në operacionin “Bregdeti”
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka konfiskuar mbi 76 kilogramë substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë dhe ka arrestuar tre persona të dyshuar, në kuadër të operacionit të koduar “Bregdeti”.
Sipas komunikatës së përbashkët, pas hetimeve disamujore dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore, më 21.01.2026 rreth orës 23:00, afër pikëkalimit kufitar në Merdar, është ndaluar i dyshuari H.S., i cili po drejtonte një kamion me targa vendore. Gjatë kontrollit në kamion janë gjetur të fshehura 68 paketime me substancë të dyshuar narkotike, me peshë të përgjithshme 76 kilogramë e 800 gramë.
Me urdhër të gjykatës është realizuar edhe kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit, në asistencë të Njësisë së Reagimit të Shpejtë, ku janë sekuestruar një armë zjarri me pesë fishekë të kalibrit 9.9 mm, dy vetura, një kamion, një telefon celular si dhe 2.950 euro para të gatshme.
Operacioni ka vazhduar më 22.01.2026 me bastisje në dy lokacione të tjera, në shtëpitë e dy të dyshuarve meshkuj kosovarë në fshatin Godishnjak të Podujevës. Gjatë kontrollit janë gjetur katër paketime me marihuanë me peshë 4 kilogramë e 454 gramë, dy vetura, dy telefona celularë, si dhe materiale të përdorura për paketimin e narkotikëve. Po ashtu, është sekuestruar edhe një armë me gaz e modelit “Signasauser”.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj tre të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin do të vazhdojnë.
Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se mbeten të përkushtuara në luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve, me qëllim të sigurimit të një mjedisi sa më të sigurt për qytetarët e Republikës së Kosovës. /Zëri