Dy të arrestuar gjatë aksionit të Prokurorisë në ndërmarrjen “Ekoregjioni”, dyshohen për keqpërdorim me tenderë
Prokuroria Speciale ka arrestuar dy persona gjatë aksionit në Prizren dhe Ferizaj, të dyshuar për keqpërdorim në prokurorim publik.
A.G. dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar”, ndërsa R.Z. për “Keqpërdorim dhe Mashtrim në prokurimin publik”.
Në mesin e provave janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike “AK-47”, si dhe para të gatshme.

Komunikata e plotë:
Prishtinë, 26 janar 2026 – Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të hënën në mëngjes janë arrestuar A.G. dhe R.Z.
A.G. dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar", nga Neni 414, paragrafi 1, lidhur me Nenin 31 të KPRK-së”, ndërsa R.Z. për “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik", nga Neni 415, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Hetuesit policorë kanë kryer bastisje në disa lokacione në Prizren dhe në Ferizaj, duke përfshirë ambientet e ndërmarrjes publike “Eko Regjioni”, si dhe të një subjekti privat.
Urdhër kontrolli është realizuar si një hap i rëndësishëm procedural, në kuadër të hetimeve që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke i zhvilluar lidhur me dyshimet për një aktivitet të tenderimit.
Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, në mesin e provave janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike "AK-47", si dhe para të gatshme.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës ritheksojnë përkushtimin në luftën kundër korrupsionit.