Nga 68 të intervistuarit, 15 kryesues janë ndaluar për 48 orë

Nga 68 të intervistuarit, 15 kryesues janë ndaluar për 48 orë

Kronika January 28, 2026 - 15:20

Në aksionin për falsifikimin e rezultatit zgjedhor në Malishevë, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi ka njoftuar se janë intervistuar 68 persona, nga ta 15 kryesues dhe 43 komisionerë, e ku për 15 kryesuesit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

“Nga 18 kryesues dhe 50 komisionerë janë intervistuar gjithsej 15 kryesues dhe 43 komisionerë. 15 kryesues aktualisht janë të ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor prokuroria do të vendosë në lidhje me masën e sigurisë. Po ashtu për 43 komisionerët e tjerë jemi në vlerësim e sipër për ndonjë masë eventuale pasi që në këtë rast kanë qenë të angazhuar dy prokurorë të Departamentit për Krime të Rënda”, tha ai.

Ai tha se janë siguruar prova mbi të cilat dhe mbështesin dyshimin e bazuar se gjashtë persona në cilësinë e komisionerëve kanë bashkëpunuar për të ndryshuar rezultatin e votimit ëpr kandidatë të caktuar.

“Gjatë këtij operacioni, deri më tani kemi arritur të sigurojmë prova relevante që mbështesin dyshimin e bazuar se gjashtë persona, në cilësinë e komisionerëve, kanë bashkëpunuar për të ndryshuar rezultatin e votimit për kandidatë të caktuar. Këta persona janë ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit dhe ndaj tyre do të kërkohet masa e paraburgimit brenda afatit ligjor. Dua të siguroj qytetarët se hetimet janë në vazhdim e sipër dhe nuk do të ndalemi vetëm te këta persona. Çdo individ tjetër i përfshirë, qoftë si urdhërdhënës apo ndihmës, do të identifikohet dhe do të sillet para drejtësisë. Integriteti i procesit zgjedhor në rajonin që mbulon Prokuroria e Gjakovës është prioritet i yni absolut”, tha ai.

Tutje tha se “Në bashkëpunim të ngushtë me KQZ-në dhe Policinë, jemi duke verifikuar edhe disa vendvotime të tjera ku ka mospërputhje të rezultateve. Nuk do të lejojmë që asnjë votë e vetme të tjetërsohet apo të vidhet. Ky aksion është një paralajmërim për këdo që mendon se mund të manipulojë vullnetin e qytetarit pa u ndëshkuar”./EO