Sekuestrohen rreth 10 kg drogë në autostradën Doganaj-Kaçanik, arrestohen dy shtetas të Maqedonisë së Veriut
Një operacion i suksesshëm kundër trafikimit të lëndëve narkotike është realizuar mbrëmjen e 30 janarit 2026 në autostradën Doganaj–Kaçanik, ku Policia e Kosovës ka ndaluar një veturë me targa të Maqedonisë së Veriut, nën dyshimin se me të po kryhej trafikim i drogës.
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësia Ferizaj, në koordinim dhe bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), si dhe të ndihmuar nga njësitë policore të trafikut – autostradës, rreth orës 20:30 kanë ndaluar automjetin për kontroll.
Në veturë ndodheshin dy persona meshkuj, shtetas të Maqedonisë së Veriut. Gjatë kontrollit policor janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale, përfshirë:
20 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale 6.4 kilogramë;
6 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë, me peshë totale 3.2 kilogramë;
dy telefona mobil;
një veturë.
Sipas vlerësimeve, çmimi i tregut i kësaj sasie të lëndëve narkotike arrin rreth 80 mijë euro.
Të gjitha veprimet procedurale janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj. Me aktvendim të prokurorit kujdestar, pas intervistimit, dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.
Autoritetet e rendit kanë bërë të ditur se ky aksion është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm institucional për luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve në territorin e Kosovës./Zëri
