Gardianja Cepkenoviq deklarohet e pafajshme për krime lufte
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca fillestare ndaj të akuzuarës Nadica Cepkenoviq, e cila është deklaruar e pafajshme për aktakuzën e ngritur ndaj saj për krime lufte kundër popullatës civile.
“Nuk jam fajtore”, tha ajo gjatë seancës.
Sipas aktakuzës, Cepkenoviqi, e lindur më 8 janar 1963 në Shkup dhe me vendbanim në Pozharevac, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998–1999, në cilësinë e ish-gardianes në Burgun e Prishtinës – paralelja për femra në Lipjan, në bashkëkryerje me Ljiljana Seliqin, Danica Lukiqin, Sladjana Arsiqin dhe Biljana Stoliqin, dyshohet se ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare duke maltretuar në mënyrë sistematike të burgosurat shqiptare.
Në aktakuzë përshkruhet se të pandehurat dyshohet se i kanë torturuar viktimat në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, përfshirë shkopinj gome, shqelma dhe grushte deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore. Po ashtu, thuhet se ato kanë ushtruar dhunë psikike, kanë kërcënuar seriozisht për jetë dhe se, si pasojë e rrahjeve të vazhdueshme, viktimat kanë pësuar ankth e frikë, ndërsa u është cenuar rëndë dinjiteti njerëzor, pasoja që sipas aktakuzës vazhdojnë t’i bartin edhe sot.
“Nadica Cepkenoviq, nga i ati Zoran, e ëma Verica, e vajzërisë Nikoliq, e lindur më 08/01/1963 në Shkup, me vendbanim në Pozharevac, e nacionalitetit serb. Sepse ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura Nadica CEPKENOVIQ, ish-gardiane e Burgut të Prishtinës – paralelja për femra në Lipjan, gjatë periudhës së konfliktit të armatosur, përkatësisht luftës në Kosovë 1998–1999, në cilësinë e personit zyrtar – gardiane në Burgun e Prishtinës – paralelja për femra në Lipjan, në bashkëkryerje edhe me zyrtare të tjera të burgut në fjalë: Ljiljana SELIQ, Danica LUKIQ, Sladjana ARSIQ dhe Biljana STOLIQ, ish-gardiane të burgut për femra në Lipjan, duke vepruar me dashje dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur, përkatësisht kohës së luftës, gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurat shqiptare, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në aktakuzë.
“Ashtu siç e shpjegojnë vetë viktimat, pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psikike, i kanë kanosur seriozisht për jetë dhe, si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme, kanë pësuar gjendje ankthi dhe frikë; është cenuar rëndë dinjiteti njerëzor, pasoja të cilat i bartin edhe më tej viktimat”.
“Prokuroria vlerëson se këto veprime bien ndesh me ligjet vendore, zakonet e luftës dhe Konventat e Gjenevës me Protokollet Shtesë, duke i cilësuar ato si vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile, nga Neni 142 lidhur me Nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së”, thuhet në aktakuzë.
“Veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë, andaj: me këtë, në bashkëkryerje ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile nga Neni 142 lidhur me Nenin 22 të LP të RSFJ-së”, thuhet në aktakuzë. /EO