Një kosovar arrestohet në Cyrih, dyshohet se sulmoi një hebre

Një kosovar arrestohet në Cyrih, dyshohet se sulmoi një hebre

Kronika February 04, 2026 - 09:48

Një burrë me origjinë nga Kosova ka sulmuar sot një hebre ortodoks në rrugë, një incident që autoritetet zvicerane e kanë cilësuar si sulm antisemit.

Sipas mediave zvicerane, duke përfshirë LeCanton27.ch, duke iu referuar Policisë Kantonale, viktima u ka shpëtuar pasojave më të rënda falë ndërhyrjes së kalimtarëve, ndërsa rasti është raportuar menjëherë në polici, transmeton Zeri.info.

Incidenti ka ndodhur pak pas orës 20:15 në rrugën Manessestrasse, në Cyrih. Sipas deklaratës së Policisë Bashkiake të Cyrihut, sulmuesi, një burrë 40-vjeçar, e ka goditur viktimën me grusht. Disa kalimtarë kanë ndërhyrë për ta ndaluar dhe e kanë mbajtur në tokë deri në mbërritjen e policisë.

Autoritetet bëjnë të ditur se gjatë ndërhyrjes policore, i dyshuari ka vazhduar me vërejtje fyese dhe deklarata antisemite. Viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore si pasojë e sulmit.

Pas marrjes në pyetje, i dyshuari – me origjinë nga Kosova dhe banues në Zvicër – është dërguar para Prokurorisë Publike të Cyrihut, ndërsa hetimet policore janë duke vazhduar.

Federata Zvicerane e Komuniteteve Hebraike e ka dënuar ashpër incidentin.

Sipas agjencisë Keystone-SDA, burri është i njohur për policinë, por jo për vepra të ngjashme penale. Nuk janë dhënë detaje të tjera lidhur me gjendjen e tij mendore, ndërsa mbetet e paqartë nëse ai do të mbahet në paraburgim. Hetimet e mëtejshme janë në zhvillim.