Numër alarmant i vdekjeve në trafik, Hoxha: Për 26 vjet humbën jetën 3111 persona
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në prezantimin e punës vjetore të Policisë rajonale të Prishtinës ka thënë se nga viti 2000 e deri më sot në rrugët e Kosovës kanë humbur jetën mbi 3 mijë 100 persona.
“Problemet që kanë shënuar rritje janë rastet të fatalitetet dhe jo vetëm në Prishtinë por gjithandej Kosovës kemi pas rritje të rasteve në trafik, ku kemi pas diku mbi 100 persona të vdekur në trafik nga 89 sa kemi pas në 2024-n. Kosova që nga viti 2000 mijë deri më sot i ka humbur mbi 3 mijë e 111 njerëz në trafik. Është një numër i madh i jetëve të humbura në trafik dhe një prej prioriteteve ka me qenë siguria në trafik. Por që këtë punë policia nuk mund ta bëjë e vetme, na duhet mbështetja e komunave, e ministrisë së infrastrukturës dhe e gjithë shoqërisë sidomos te vetëdijesimi i njerëzve, pastaj deri te marrja e patentë shoferëve, kontrolli i shtuar në rrugë”, tha ai.
Hoxha ka numëruar disa nga faktorët që kanë ndikuar që të ketë më shumë problemë në trafik, e ku një nga to e nënvizon të jetë një numër i madh i njerëzve që kanë vizituar Kosovën. Këtu ai përmend edhe statistikat për patentë shoferë.
“Disa prej faktorëve që kanë ndiku të kemi më shumë probleme në trafik gjatë viti që shkoj ka qenë numri i madh i njerëzve që kanë qarkulluar në rrugët tona, dhe po ashtu numri i madh i njerëzve që kanë hy në kufijtë e Kosovës, kemi pas një rritje me milionë njerëz. Kemi pas 2-3 milionë që janë fut në territorin tonë. Po ashtu është rritur numri i veturave të regjistruara dhe i patentë shoferëve. Në vitin 2011, Kosova ka pas diku rreth 400 mijë patentë shoferë, sot i kemi 900 mijë”, tha Hoxha.
E rënie të rasteve në Prishtinë u vlerësua të ketë pas në vrasje, grabitje dhe vjedhje të rënda, e dhunën në familje. /eo