Punëtori humbi jetën pas kontaktit me gjeneratorin, aktakuzë ndaj pronarit dhe kompanisë në Pejë
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj personit fizik Sh.K., si dhe ndaj personit juridik kompanisë “Luani Transport”, për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Sh.K., më 7 korrik 2025, në fshatin Gorazhdevc, Komuna e Pejës, në cilësinë e pronarit të kompanisë, nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme për siguri dhe shëndet në punë, duke mos krijuar kushte të sigurta për punëtorët.
“I pandehuri nuk ka ofruar trajnim për siguri në punë, nuk ka dhënë informacione për rreziqet në vendin e punës dhe as për përdorimin e duhur të makinerisë”, thuhet në aktakuzë.
Prokuroria thekson se, megjithëse viktima S.R., tani i ndjerë, kishte detyrë vetëm pastrimin, ai ka humbur jetën në vendin e punës si pasojë e kontaktit me gjeneratorin.
Po ashtu, aktakuzë është ngritur edhe ndaj personit juridik, kompanisë “Luani Transport”, e cila sipas Prokurorisë, nga pakujdesia dhe mosrespektimi i Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, nuk ka vepruar në përputhje me dispozitat dhe rregullat teknike për masat e sigurisë në vendin e punës.
“Si pasojë e mosplotësimit të kushteve të punës sipas ligjit dhe në kundërshtim me nenin 6, paragrafi 1 i Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, ka humbur jetën punëtori S.R”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokurori i shtetit i ka propozuar gjykatës që, përveç dënimit për veprën penale, të shqiptohet edhe dënimi plotësues “Ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës”, konkretisht ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë së separacionit.
“Kjo për faktin se i pandehuri ka ushtruar veprimtarinë pa licencë dhe pa asnjë kriter të sigurisë në vendin e punës”, thuhet më tej në aktakuzë.
Rasti tashmë pritet të trajtohet nga gjykata kompetente.