Kërkohet paraburgim për 22 kryesues, dyshohen për falsifikim të rezultateve të votimit në Gjakovë
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike për zgjedhjet e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Komunën e Gjakovës.
Sipas njoftimit, në kuadër të këtyre veprimeve janë intervistuar gjithsej 22 kryesues, të cilët dyshohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, sipas nenit 216, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria ka paraqitur kërkesë pranë gjykatës kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.
Prokuroria Themelore në Gjakovë thekson se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe në trajtimin me prioritet të veprave penale që cenojnë votën e lirë dhe demokratike të qytetarëve. /Zëri