Vrasja në Dumnicë të Podujevës, Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarve - mbrojtja aktgjykim lirues
Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në fjalën përfundimtare, prokurorja Dulina Hamiti kërkoi dënimin e të akuzuarve Besnik dhe Ilaz Salihu, të cilët ngarkohen për rastin e vrasjes së S.S. Kurse, mbrojtja e tyre kërkoi që në mungesë të provave, të akuzuarit të lirohen nga akuza.
Në këtë rast, Besnik Salihu akuzohet për vrasjen e S.S., në mars të 2023-ës në Dumnicë të Podujevës dhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa Ilaz Salihu akuzohet për ndihmë në kryerjen e vrasjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, prokurorja Hamiti sqaroi se fjalën përfundimtare e ka përgatitur me shkrim dhe e dorëzoi në Gjykatë.
Hamiti tha se bazuar në provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, është vërtetuar se i akuzuari Besnik ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” dhe atë të “Armëmbajtjes pa leje. Ndërkaq, i akuzuari Ilaz atë të “Ndihmës në kryerjen e vrasjes së rëndë”.
Sipas prokurores, nga dëgjimi i dëshmitarëve në shqyrtim gjyqësor, janë vërtetuar në plotni të dhënat si në aktakuzë.
Lidhur me të akuzuarin Ilaz Salihu, kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi kërkoi nga Prokuroria që të renditë provat që dëshmojnë se ai ka kryer veprën penale të “Ndihmës në vrasje të rëndë”.
Prokurorja Hamiti tha se provat janë listuar edhe në aktakuzë dhe se vetë i akuzuari Ilaz ka deklaruar mënyrën si e ka kryer veprën penale.
Më pas, fjalën përfundimtare e paraqiti përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Skender Musa, duke deklaruar se vrasja është bërë për shkak të motivit hakmarrës që nga viti 2012.
Musa tha se të akuzuarit kanë kryer veprën penale në mënyrë profesionale dhe kanë ndërmarrë veprime duke zhdukur provat në vendin e ngjarjes.
Gjithashtu, avokati Musa shtoi se të akuzuarit së bashku edhe me vëllezërit tjerë kanë zhvilluar komunikime mes vete duke ardhur deri te kryerja e veprës penale.
Në fund, ai tha se të akuzuarit duhet të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Tha se për kërkesën pasurore-juridike do të procedojnë në kontest të rregullt juridiko-civil.
Mbrojtësi i të akuzuarit Besnik Salihu, avokati Arlind Fetahu tha se së fundi është anagzhuar si mbrojtës. Ai u shpreh se deklarimet e dhëna nga Prokuroria dhe pala e dëmtuar nuk përputhen mes vete.
Fetahu tha se aktakuza mbështetet vetëm në të thënat e të akuzuarit Ilaz në Polici. Kërkoi që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza në mungesë të provave.
Vetë i akuzuari Besnik tha se familja e tij është viktimë e familjes së të ndjerit.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Ilaz Salihu, avokati Qazim Qerimi gjithashtu e dorëzoi me shkrim fjalën përfundimtare, duke mbetur në tërësi pranë saj.
Në fund, gjykatësi i rastit Alban Ajvazi e shpalli të përfunduar gjykimin, duke caktuar datën e shpalljes së aktgjykimit për një ditë tjetër.
Sipas aktakuzës, më 26 mars 2023, rreth orës 18:08 minuta, në fshatin Dumincë e Epërme, Komuna e Podujevës, pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarit Besnik Salihu dhe tani të ndjerit S.S., i akuzuari në mënyrë dinake dhe papritur iu afrua të ndjerit S.S. me qëllim që t’i merrte jetën.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari kishte shtënë me armë zjarri, duke qëlluar dy herë në kokë tani të ndjerin S.S- një herë me pistoletë në anën e majtë të kokës dhe një herë me armë të gjatë nën mjekër, duke i shkaktuar gjakderdhje masive të jashtme trunore, dhe për shkak të plagëve të marra nga predhat e shkrepura në kokë, tani i ndjeri S.S. ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ku më pas i akuzuari Besnik largohet nga vendi i ngjarjes.
Me këto veprime, i pandehuri Besnik Salihu ka kryer veprën penale të “Vrasjes e rëndë”, sipas nenit 173, paragrafi 1, pika 14 e KPRK-së.
Tutje, në aktakuzë thotë se i pandehuri Besnik, në datën, kohën dhe vendin e përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin për armët, ka poseduar një revole dhe një armë të gjatë, me të cilën ka kryer veprën penale të përmendur si më lart.
I njëjti ngarkohet edhe për kryerjen veprën penale “Mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 366, paragrafi 1 të KPRK-së.
Gjithashtu, në aktakuzës thuhet se i pandehuri Ilaz Salihu, në vendin, kohën dhe mënyrën e përshkruar në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, me dashje ndihmoi vëllain e tij, të akuzuarin Besnik, duke i premtuar se do të fshehë provat e kryerjes së veprës penale.
Me këtë, i pandehuri Ilaz Salihu ka kryer veprën penale të “Ndihmës në vrasjen e rëndë”, sipas nenit 173, paragrafi 1, pika 14, lidhur me nenin 3 të KPRK-së.