FSK-ja gjeti trupin e të riut në lumin Mat në Shqipëri

FSK-ja gjeti trupin e të riut në lumin Mat në Shqipëri

Kronika February 07, 2026 - 14:05

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), në bashkëpunim me autoritetet e Republikës së Shqipërisë, ka gjetur trupin e pajetë të të riut të zhdukur në rrjedhën e lumit Mat, pas një operacioni intensiv kërkim-shpëtimi që zgjati dhjetë ditë.

FSK-ja ka njoftuar sot se, me kërkesë të palës shqiptare, angazhoi një kontingjent të specializuar të Kërkim-Shpëtimit nga Regjimenti i Mbrojtjes Civile i Gardës Kombëtare, i cili iu bashkua operacionit në zonën e Klosit. Pas bashkëpunimit të ngushtë dhe punës së pandërprerë në terren, ekipet arritën të lokalizojnë dhe të nxjerrin trupin e pajetë të personit të zhdukur.

Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e viktimës, duke falënderuar njëkohësisht personelin e angazhuar për përkushtimin, profesionalizmin dhe disiplinën e treguar gjatë këtij misioni humanitar.

FSK theksoi se mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe në përmbushjen e misioneve humanitare, në shërbim të jetës, sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve./Zëri