Rasti në shkollën “Pavarësia”- Edhe ndaj drejtorit zgjerohen hetimet për dhunë ndaj nxënësit [video]

Rasti në shkollën “Pavarësia”- Edhe ndaj drejtorit zgjerohen hetimet për dhunë ndaj nxënësit [video]

Kronika February 12, 2026 - 21:21

Lidhur me rastin për dhunën ndaj nxënësit, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka zgjeruar hetimet edhe ndaj drejtorit të Shkollës “Pavarësia” në Prishtinë, Halil Brahaj.

Hetimet ndaj tij janë duke u zhvilluar në drejtim të veprës penale “Keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare” .

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar prokurorja e rastit, Jehona Grantolli.

“Sot i kemi intervistu të dyshimtit, nuk është ndaluar. Është intervistuar për veprën penale keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare”, tha Grantolli.

Në pamjet që “Betimi për Drejtësi” i ka siguruar shihet drejtori i shkollës duke e goditur në fytyrë një nxënës të shkollës “Pavarësia” për të cilin ditë më parë u arrestua mësimdhënësi i shkollës.

Burimet thonë se drejtori e kishte goditur nxënësin dhe i kërkoi të shkojë te Salla e arsimtarëve, ku pastaj u godit nga arsimtari tjetër që s’e kishte fare nxënës atë fëmijë.

Drejtori i shkollës “Pavarësia”, është kontaktuar përmes telefonit, mirëpo Brahaj deri në publikimin e lajmit nuk është përgjigjur.

Për më shumë, Grantolli tha se mund t’i drejtohemi zëdhënëses për informimin të kësaj Prokurorie.