Policia në Cyrih arreston gjashtë të rinj për sulme, njëri prej tyre nga Kosova

Policia në Cyrih arreston gjashtë të rinj për sulme, njëri prej tyre nga Kosova

Kronika February 12, 2026 - 23:56

Policia kantonale e Cyrihut, Zvicër, ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar për tre sulme të rënda të ndodhura në Embrach, ndërsa një tjetër i dyshuar ishte tashmë në paraburgim.

Sipas policisë, të akuzuarit janë 14 deri në 18 vjeç dhe vijnë nga Zvicra, Kosova, Italia, Gjermania dhe Iraku.

Rasti i parë raportohet të ketë ndodhur më 29 nëntor 2025, kur një 21-vjeçar zviceran u josh në Embrach me pretendimin se po takonte një vajzë të mitur, raporton klankosova.

“Atje ai u sulmua me grushte e shqelma në kokë dhe trup. Në fillim të dhjetorit 2025 dhe fillim të janarit 2026, dy raste të ngjashme u regjistruan në të njëjtin vend – viktima ishin një 18-vjeçar dhe një 20-vjeçar afganë, të cilët u sulmuan, u plagosën dhe u grabitën. Dyshohet se në të gjitha rastet ka vepruar i njëjti grup”, u tha në njoftimin e Policisë kantonale të Cyrihut.

Sipas njoftimit të së enjtes, hetimet e gjera çuan në arrestimet e së martës, ndërsa policia dhe Prokuroria për Krime të Rënda po vazhdojnë sqarimin e plotë të rrethanave.

Autoritetet theksuan se veprimet e dhunshme mbeten të dënueshme dhe të rrezikshme, edhe kur justifikohen si “gjueti ndaj pedofilëve”, sepse ndërhyjnë rëndë në hetimet zyrtare.

Prokuroria kujtoi se ndjekja dhe ndëshkimi i veprave penale është detyrë vetëm e institucioneve kompetente.