Policia sekuestron rreth një mijë kg duhan të kontrabanduar në Vërmicë
Policia Kufitare ka sekuestruar rreth 1.000 kilogramë duhan të përpunuar, i dyshuar si mall kontrabandë, gjatë zbatimit të planit operativ “Parandalimi i Kontrabandës në Brezin Kufitar”.
Sipas njoftimit të Policisë, thuhet se malli u kap në orët e mbrëmjes të së hënës në Vërmicë, gjatë vëzhgimit të terrenit me pajisje nate, ka vërejtur një barkë në liqenin e Vërmicës, që lëvizte nga Shqipëria në drejtim të Kosovës, raporton Zeri.info.
Njoftimi i plotë:
Gjatë implementimit të Planit Operativ “Parandalimi i Kontrabandës në Brezin Kufitar”, më 16.02.2026 në orët e mbrëmjes, patrulla e policisë kufitare, SPMK Vërmicë, gjatë vëzhgimit të terrenit me pajisje nate, ka vërejtur një barkë në Liqenin e Vërmicës që lëvizte nga territori i Shqipërisë në drejtim të Republikës së Kosovës.
Pas shkarkimit të mallit, personat e dyshuar që ndodheshin në barkë kanë vërejtur prezencën e Policisë dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të Shqipërisë. Për rastin është njoftuar menjëherë Policia Kufitare e Shqipërisë, me të cilën po vazhdon bashkëpunimi dhe koordinimi institucional.
Gjatë kontrollit të terrenit, njësitë policore kanë gjetur një rimorkio me mall të dyshuar si kontrabandë. Në vendngjarje është sekuestruar një sasi e konsiderueshme duhani i përpunuar në paketime prej 500 gramësh, si në vijim: Marlboro – 320 pako, Dunhill – 30 pako, Davidoff – 450 pako, Parliament – 150 pako, Winston – 150 pako, Sobranie – 350 pako, Pall Mall – 30 pako, Lucky Strike – 450 pako dhe Camel – 60 pako. Sasia e përgjithshme e duhanit të sekuestruar vlerësohet të jetë rreth 1.000 kilogramë.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i Shtetit, i cili ka rekomanduar sekuestrimin e mallit dhe inicimin e rastit për veprën penale “Kontrabandë me mallra”. Rasti është duke u hetuar në bashkëpunim me Doganën e Kosovës.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprave penale ndërkufitare.