Familjarët e argjentinases së vrarë nga Endrit Nika: Clara e mori drejtësinë, por dhimbja mbetet
Endrit Nika është dënuar sot me 18 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë për vrasjen e të dashurës së tij, shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray.
Pas shpalljes së aktgjykimit, familjarët e së ndjerës e mirëpritën vendimin, por shprehën pakënaqësi për lartësinë e dënimit, duke paralajmëruar mundësinë e ankesës.
Menjëherë pas përfundimit të seancës, për media foli nëna e viktimës, e cila tha se procesi ka qenë i rëndë për familjen.
“Ka qenë e vështirë që nga fillimi për ta përballuar, por kemi besuar gjithmonë në drejtësinë e Kosovës. E vlerësojmë punën e prokurorit Armend Hamiti, i cili sot e dëshmoi angazhimin e tij me të gjitha provat që ka paraqitur. Clara e ka marrë drejtësinë dhe falënderojmë të gjithë për këtë”, u shpreh ajo.
Megjithatë, ajo theksoi se asnjë vendim nuk mund ta lehtësojë dhimbjen e familjes.
“Vajza jonë vazhdon të jetë e vdekur. Asgjë nuk mund të na ngushëllojë. Ai vazhdon të jetojë, ndërsa vajza jonë ka vdekur në formën më brutale”, deklaroi nëna e Maria Clara Urdangarayt.
E pyetur nëse do ta apelojnë vendimin, ajo tha se kjo çështje do të diskutohet me avokatin e familjes.
“Kjo është diçka që duhet ta konsultojmë me avokatin tonë, por me shumë gjasë do ta apelojmë këtë vendim. Në sistemin tonë në Argjentinë, një vrasës i një gruaje dënohet me burgim të përjetshëm. Natyrisht, po e kërkojmë edhe ne këtë”, shtoi ajo.