Mashtrim me prona mbi 1.5 milion euro, katër të dyshuar në mbajtje për 48 orë

Mashtrim me prona mbi 1.5 milion euro, katër të dyshuar në mbajtje për 48 orë

Kronika February 19, 2026 - 14:16

Hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) kanë zbuluar një rast të dyshuar mashtrimi dhe falsifikimi dokumentesh që lidhet me shitjen e kundërligjshme të një prone në vlerë prej mbi 1.5 milion eurove.

Policia ka bërë të ditur se pas një pune operative-hetimore, janë siguruar prova që dyshohet se implikojnë katër persona me inicialet M.M., Sh.B., D.R. dhe B.Zh. Ata dyshohet se, përmes falsifikimit të dokumenteve – duke përfshirë një pasaportë të Serbisë dhe dokumente të tjera – si dhe duke i përdorur ato si të vërteta dhe duke paraqitur një person të rrejshëm si real, kanë arritur ta tjetërsojnë përmes noterit pronën e ankuesit M.T.

Bëhet fjalë për një pronë me sipërfaqe prej 36.28 arësh, e cila dyshohet se është shitur duke mashtruar edhe blerësin H.M., me pretendimin se dokumentacioni ishte i rregullt. Në këmbim të shitjes, të dyshuarit dyshohet se kanë përfituar gjithsej 1.578.180 euro, transmeton Zeri.info.

Me urdhër verbal të prokurorit të rastit, janë kryer kontrolle në pesë lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar 9 mijë euro para të gatshme, si prova për procedurat e mëtejme.

Sipas Policisë, të dyshuarit ngarkohen për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

Të dyshuarit janë intervistuar sot në prani të avokatëve mbrojtës dhe, pas konsultimit me prokurorin e rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, janë dërguar në mbajtje për 48 orë. /Zëri