Policia e Kosovës: Janar–dhjetor 2025, 99 aksidente fatale me 111 viktima
Rastet e aksidenteve, veçanërisht atyre fatale, janë bërë shqetësuese në Kosovë. Ekspertët e komunikacionit bëjnë thirrje që institucionet të ndërmarrin masa më serioze në parandalimin e aksidenteve dhe humbjes së jetëve të njerëzve.
Bilanc tragjik u raportua mbrëmjen e së dielës në Kosovë sa u përket aksidenteve fatale në komunikacion. Në Bresje të Fushë Kosovës u raportua se një këmbësor humbi jetën pasi u godit nga një veturë, ndërsa janë shënuar edhe tetë aksidente të tjera me persona të lënduar. Këto janë vetëm rastet e raportuara gjatë 24 orëve të fundit nga Policia e Kosovës.
Njohësit e komunikacionit vlerësojnë se jetët e humbura dhe lëndimet fatkeqësisht po mbeten vetëm statistika, ndërsa nuk po ndërmerren masa serioze parandaluese.
Si pasojë, rastet e aksidenteve fatale dhe ato me të lënduar po shënojnë vazhdimisht rritje.
“Duhet ekspertizë dhe analiza e parametrave pse ka ndodhur aksidenti. Institucionet duhet të ndërmarrin masa dhe të shohin pse dhe si ka ndodhur ai aksident. Nëse ka qenë dukshmëria e dobët, nëse ka ndikuar shpejtësia. Nëse trotuaret janë në nivel me rrugën, ato duhet të ngrihen. Tek ne mbesin vetëm shifrat dhe pa veprime konkrete nuk mund të ndalen aksidentet. Po mbetemi të heshtur karshi tyre”, tha Lavdim Hamiti, ekspert i komunikacionit.
Sipas Policisë, gjatë periudhës janar-dhjetor 2025 janë regjistruar 99 aksidente fatale me gjithsej 111 viktima. Po ashtu, janë shënuar mbi 8 mijë aksidente me më shumë se 16 mijë persona të lënduar. Numri total i aksidenteve të raportuara në vend ka arritur në 24,121, ndërsa janë shqiptuar mbi 775 mijë gjoba.