Një muaj paraburgim për katër personat për mashtrim me mbi 1.5 milion euro
Foto: Laura Hasani

Një muaj paraburgim për katër personat për mashtrim me mbi 1.5 milion euro

Kronika February 24, 2026 - 11:21

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ditë më parë ka arrestuar katër persona, me inicialet M.M., S.B., D.R. dhe B.Z., nën dyshimin për përfshirje në një rast mashtrimi, që kap vlerën mbi 1.5 milion euro.

Të dyshuarve fillimisht u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” në bashkëkryerje, transmeton Zeri.info.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari M.M. përballet edhe me akuzën për “Falsifikim të dokumenteve”, ndërsa D.R. dyshohet edhe për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme”.

Hetimet paraprake tregojnë se të pandehurit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, duke fshehur fakte relevante dhe duke e vënë në lajthim të dëmtuarin me inicialet H.M., i kanë shkaktuar atij dëm material në vlerë prej 1.578.180 eurove.

Prokurori i Shtetit ka nxjerrë urdhër ndalues të përkohshëm për parcelat përkatëse, pasi ekziston dyshimi se prona është shitur mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara dhe është transferuar në mënyrë të kundërligjshme. Njëkohësisht, nga gjykata është kërkuar lëshimi i urdhrit ndalues përfundimtar për këto parcela, me qëllim të sigurimit të pronës deri në përfundim të procedurës penale.

Me vendim të gjykatës kompetente, të pandehurve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim. /Zëri