Arrestohen dy të rinj në Prishtinë, dyshohen për disa vjedhje të rënda
Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar, një 21-vjeçar dhe një 26-vjeçar në Prishtinë, nën dyshimin për vjedhje të rënda.
Policia ka bërë të ditur se me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë intervistuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Njësitet e stacionit policor ‘Jugu’ në Prishtinë kanë arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në disa raste të vjedhjeve të rënda të ndodhura në kryeqytet. Personat e dyshuar janë identifikuar falë veprimeve operative dhe hetimore nga njësitet e stacionit ‘Jugu’ dhe si rezultat i këtyre veprimeve, të dyshuarit janë ndaluar dhe arrestuar. Personat e dyshuar janë: A.B., 21 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës; A.M., 26 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës. Me vendim të prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë intervistuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Policisë.