30 ditë paraburgim për të miturin në Ferizaj, i dyshuar për narkotikë dhe armëmbajtje pa leje
Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një të mituri, i dyshuar për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, si dhe mbajtje pa leje të armëve.
Siç ka njoftuar Gjykata, gjyqtari i procedurës paraprake, Shabi Idrizi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se më 23 shkurt 2026, në një banesë në Ferizaj, të miturit iu gjetën në dhomën e tij:
86.7 gramë marihuanë,
Tri qese najloni me 4.7 gramë kokainë,
40.2 gramë hashash në formë çokollate,
400 euro para të gatshme,
Një peshore dhe letra për mbështjellje të narkotikëve.
Po ashtu, gjatë kontrollit i janë konfiskuar një revole me gaz “Kurtulus – Taurus”, një karikator me 6 fishekë dhe një thikë, të gjitha të mbajtura pa leje në kundërshtim me Ligjin për armët.
Në bazë të këtyre provave, gjyqtari ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të miturin. Palët janë njoftuar se ankesa kundër këtij vendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij. /Zëri