Publikohen pamjet e përleshjes fizike mes dy kirurgëve në QKUK [video]
Janë publikuar pamje nga përleshja fizike që ndodhi mes dy kirurgëve brenda QKUK-së javë më parë.
Ngjarja kishte shkaktuar reagime të mëdha në opinionin publik, përderisa gazeta Nacionale ka siguruar ekskluzivisht pamjet e incidentit.
Fillimisht, për të sqaruar se ngjarja kishte ndodhur në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve, ku të përfshirë ishin kirurgët Xhevdet Ademaj dhe Baton Kelmendi.
Ishte raportuar se gjithçka kishte nisur disa ditë përpara me një përplasje verbale e fjalosje në një mbledhje, ku ishin të dy, Ademaj e Kelmendi.
Konflikti më pas eskaloi në fizik.
Bazuar në pamjet e siguruara nga Nacionale, shihet komplet ngjarja.
Personi që është në telefon dhe po priste ashensorin është kirurgu Baton Kelmendi. Në atë moment në korridor shfaqet Xhevdet Ademaj, i cili kur afrohet te ashensori duket se ia jep një goditje Kelmendit. Bazuar në pamje, nuk shihet të ketë pasur ndonjë komunikim mes të dyve.
Më pas, përleshja mes tyre vazhdon, derisa një person tjetër shihet teksa afrohet t’i ndajë.
Drejtori i Kirurgjisë së Fëmijëve, Sejdi Statovci, pas rastit ishte prononcuar për media, duke bërë të ditur se ndaj dy kirurgëve ishin nisur procedurat disiplinore.
Më pas, Komisioni Disiplinor vendosi që të dy kirurgët, Ademaj dhe Kelmendi, të suspendohen për një periudhë prej gjashtë muajsh.
Rasti u iniciua si "Sulm" dhe Prokuroria në Prishtinë bashkë me Policinë bënë të ditur se do t’i vazhdojnë hetimet.
Nacionale do të dërgojë pyetje në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës për të kuptuar detaje se çka ka ndodhur tutje me këtë rast.