Forcohet menaxhimi i sëmundjeve kronike, hapet qendra e re këshilluese
Foto: Laura Hasani

Forcohet menaxhimi i sëmundjeve kronike, hapet qendra e re këshilluese

Kronika February 25, 2026 - 21:58

Menaxhimi i sëmundjeve kronike jo-ngjitëse kërkon kujdes të veçantë dhe përfshin kontrolle të rregullta mjekësore, këshilla profesionale e kujdes të vazhdueshëm. Ndaj nevoja për hapjen e Qendrave dhe Këshillimoreve për sëmundje jo-ngjitëse po bëhet gjithnjë e më e nevojshme.

Edukimi, kujdesi dhe marrja e këshillave lidhur me hipertensionin, matjen e sheqerit në gjak, problemet me astmën dhe shumë sëmundje të tjera kronike jongjitëse po bëhen gjithnjë e më të domosdoshme.

“Hapja e këtyre këshillimoreve pa dyshim që ka një rëndësi të madhe, pasi nuk lejon që sëmundja të vazhdojë më tutje dhe të thellohet akoma. Roli ynë si infermierë është pastaj të ndikojmë në mirëqenien e tyre dhe të rrisim motivimin e tyre, duke marrë parasysh se këto sëmundje do t’i përcjellin gjatë gjithë jetës”, thotë Valentina Gashi, infermiere.

Tashmë sëmundjet jongjitëse do të mund të menaxhohen më mirë falë hapjes së Qendrës së dytë Këshilluese për menaxhimin e sëmundjeve kronike në Qendrën e Mjekësisë në Dardani. Kjo qendër u tha se synon të ofrojë këshillim profesional, edukim, parandalim dhe mbështetje për pacientët që përballen me sëmundje afatgjata që kërkojnë trajtim.

“Ky është procesi i vizionit tonë për transformimin e sistemit shëndetësor në gjithë Prishtina, në sistemin parësor. Kjo është qendra e dytë ku ofrohet këshillimi dhe do të vazhdojmë edhe me të tjera në gjithë territorin e Prishtinës. Jemi duke punuar që këto të bëhen edhe përmes telefonit dhe aspektit digjital, dhe kjo i ndihmon të gjithë sistemit tonë shëndetësor”, thotë kryetar i Prishtinës, Përparim Rama.

Izet Sadiku, drejtor i Shëndetësisë ne Prishtinë, thotë se këto këshillimore objektivin e tyre kryesor do ta kenë parandalimin e këtyre sëmundjeve. “Në këshillimoren e parë kemi pasur 1 mijë pacientë që marrin shërbime. Përmes tyre arrijmë që këto sëmundje, që i kanë gjatë gjithë jetës, t?i vetë-menaxhojnë”.

Projekti u mbështet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Qendra e parë Këshilluese për menaxhimin e sëmundjeve kronike jongjitëse ndodhet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në lagjen “Qafa”. /rtk