Shkatërrohet banda kriminale në Spanjë, arrestohen katër shqiptarë

Shkatërrohet banda kriminale në Spanjë, arrestohen katër shqiptarë

Kronika February 27, 2026 - 10:31

Policia shqiptare ka kontribuar në operacionin e koduar “Ferdinand”, të organizuar nga autoritetet spanjolle, ku u godit një grup kriminal i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, të akuzuar për grabitje me armë dhe dhunë ekstreme në banesa në Spanjë.

Si rezultat, u ndaluan 5 persona (4 shqiptarë), u sekuestruan 10 590 euro, ora luksoze dhe një automjet, ndërsa vijon puna për kapjen e dy të shpallurve në kërkim.

Njoftimi nga Policia shqiptare:

Policia shqiptare kontribuon për zhvillimin e operacionit të koduar “Ferdinand”, të organizuar nga policia spanjolle.

Objektivi i operacionit, goditja e një grupi kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, të akuzuar për vjedhje me armë zjarri dhe/ose dhunë ekstreme, të parave dhe sendeve me vlerë, në banesa në Spanjë.

Në kuadër të operacionit janë ndaluar pesë pjesëtarë të grupit (katër, shtetas shqiptarë), si dhe janë sekuestruar 10 590 euro, katër ora dore të markave të shtrenjta dhe një automjet.

Për zhvillimin e këtij operacioni, Njësia për Krimet Shëtitëse “Antiskifter” në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar bashkëpunoi ngushtë, për rreth 2 vjet, me homologët spanjollë, nëpërmjet Oficerit Ndërlidhës në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, në Madrid.

Në vijim të këtij bashkëpunimi, në muajin janar 2026, Policia e Lezhës finalizoi operacionin e koduar “Aksi”, si rezultat i të cilit u kap njëri nga pjesëtarët e këtij grupi kriminal, shtetasi A.I.

Gjithashtu, gjatë periudhës hetimore u ekzekutuan letërporosi për kryerjen e kontrolleve në disa ambiente në Shqipëri, në pronësi/përdorim të pjesëtarëve të grupit. /euronews