Dënohet me gjobë mësimdhënësi që ushtroi dhunë ndaj një nxënësi në Obiliq
Foto: Laura Hasani

Dënohet me gjobë mësimdhënësi që ushtroi dhunë ndaj një nxënësi në Obiliq

Kronika February 27, 2026 - 22:03

Mësimdhënësi Naser Dragusha është dënuar me një gjobë prej 800 eurosh për dhunë fizike ndaj nxënësve. Në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Fushë Kosovë, thuhet se ai me dashje ka përdorur forcë fizike ndaj nxënësve të shkollës “Ibrahim Rugova” në Obiliq.

Xhafer Haziri, njëri nga prindërit e fëmijëve, thotë se nuk do të apelojë vendimin e gjykatës.

“Megjithatë, ai konsideron se deri diku është arritur qëllimi, ngase arsimtari ka qenë gjatë gjithë karrierës tepër i dhunshëm, dhe kjo është më e keqja nga mbështetja institucionale që kishte, duke filluar nga zyrtarët e shkollës, drejtoria komunale e arsimit dhe më pas sektori i inspektoratit arsimor”, tha ai.

Pavarësisht konfirmimit të dhunës që pasoi me një dënim me gjobë, mësimdhënësi ka vijuar punën, por është transferuar në një shkollë tjetër.

Fatmire Kastrati - Mjekiqi, drejtoreshë e shkollës “Ibrahim Rugova”, tha se mësimdhënësi është transferuar në shkollë tjetër.

“Mësimdhënësi nuk vijon mësimin tek ne, pasi drejtoria komunale e arsimit e ka transferuar në një shkollë tjetër. Fakti që na gëzon është se nxënësi është i rregullt në mësime, dhe gjithçka po shkon drejt normalitetit për nxënësin, sepse mbi të gjitha është mirëqenia e tij”, tha ajo.

Ndërkohë, nxënësi ndaj të cilit ishte ushtruar dhunë, kishte mbetur për javë të tëra jashtë procesit mësimor, pasi sipas prindit të tij në këtë rast ishte implikuar edhe zv.drejtori i shkollës, Ali Nimani. Prindërit hedhin akuzë ndaj tij, duke thënë se ishte në mbrojtje të arsimtarit tashmë të dënuar dhe duke u hakmarrë ndaj fëmijëve së tyre të sulmuar në shkollë, gjë që zv.drejtori e mohon.

Nimani duke mohuar akuzat  tha se nuk ka koment. “Edhe kur e kanë ngritur si çështje, iu ka drejtuar organeve të policisë, pa e njoftuar shkollën, kështu që nuk kam ndonjë koment kur ka përfunduar si rasti”, tha ai./rtk