Gara shpejtësie në rrugën Pejë - Prishtinë, gjobiten dy shoferë
Dy drejtues automjetesh janë ndëshkuar nga policia, pasi u kapën duke zhvilluar gara shpejtësie në magjistralen Pejë - Prishtinë.
Sipas njoftimit të PK-së, ngjarja ka ndodhur më 2 mars 2026, gjatë kontrolleve të rregullta të trafikut rrugor, raporton Zeri.info.
“Patrulla policore ka identifikuar dy shoferë, që po rrezikonin seriozisht sigurinë në komunikacion përmes garave të shpejtësisë. Pas ndalimit dhe procedurave ligjore, njërit drejtues i është shqiptuar fletëgjobë dhe rasti është proceduar për në Gjykatë. Drejtuesi tjetër është gjobitur me 500 euro, i janë shqiptuar 5 pikë negative dhe i është vendosur masa mbrojtëse e sekuestrimit të patentës së shoferit për një vit”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Policia ka bërë të ditur se kontrollet do të intensifikohen në të gjitha akset rrugore, me qëllim rritjen e sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve.
Autoritetet apelojnë te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e qarkullimit, duke theksuar se shkelje të tilla do të trajtohen me zero tolerancë. /Zëri