Policia e Kosovës ekstradon një shtetas maqedonas, i kërkuar për vrasje
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, ka realizuar sot ekstradimin e një shtetasi të Maqedonisë së Veriut, me inicialet B.L., drejt atij vendi.
Shtetasi ishte arrestuar nga autoritetet kosovare pasi ishte i kërkuar nga INTERPOL për veprën penale “Vrasje”, me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet kompetente të Maqedonisë së Veriut.
Ai dyshohej gjithashtu se i ishte shmangur drejtësisë.
“Ekstradimi u realizua në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe mbi bazën e bashkëpunimit ndërinstitucional mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”
“Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë shkëmbimin e informacionit me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare për parandalimin, hetimin dhe zbardhjen e aktiviteteve kriminale, si dhe për gjurmimin, kapjen dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë territorit të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe garantimin e sundimit të ligjit. /Zëri