Arrestohet në Prizren një person, i kërkuar për vrasjen që kishte ndodhur në vitin 2015
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të kërkuar për disa vepra penale, duke përfshirë vrasje, pas një operacioni të zhvilluar në Prizren.
Sipas Policisë, më 9 mars, rreth orës 22:30, patrulla e Stacionit Policor në Prizren, pas një pune të vazhdueshme hetimore, ka arritur ta lokalizojë dhe arrestojë të dyshuarin A.P., 37-vjeçar nga fshati Velezhë.
I dyshuari kërkohej në bazë të urdhërarresteve të gjykatës për veprat penale “Vrasje”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtje, posedim dhe kontroll i paautorizuar i armës”, transmeton Zeri.info.
Pas arrestimit, më 10 mars, i dyshuari është dërguar në Prokuroria për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.
Sipas Policisë, rasti i vrasjes lidhet me një ngjarje të ndodhur në vitin 2015, ku i dyshuari kryesor ishte arrestuar dhe dënuar nga gjykata, ndërsa A.P. kishte qenë gjithashtu njëri nga të dyshuarit dhe kishte qëndruar në arrati për disa vite.
Policia theksoi se mbetet e përkushtuar në identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e personave të kërkuar, veçanërisht atyre të dyshuar për vepra të rënda penale, me qëllim garantimin e sigurisë dhe rendit publik. /Zëri