Vazhdon operacioni i kërkimit për personin e zhdukur në Zatriq të Rahovecit
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, po zhvillon një operacion të gjerë kërkimi pas raportimit për zhdukjen e Alush (Vesel) Kastratit, i cili për herë të fundit është parë më 7 mars 2026 në fshatin Zatriq të komunës së Rahovecit.
Menjëherë pas raportimit, janë aktivizuar strukturat relevante të Policisë së Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme në drejtim të gjetjes së tij. Njësitë policore kanë dalë në terren dhe kanë zhvilluar patrullime intensive në një perimetër të zgjeruar kërkimi, duke përfshirë zona malore dhe hapësira të tjera përreth.
Në operacion janë angazhuar njësitë patrulluese të Policisë së Kosovës, Njësia për Reagim të Shpejtë, njësia me dron për monitorim nga ajri, si dhe njësia K9 me qen kërkues. Gjithashtu, në kërkim janë përfshirë edhe Njësia e Kërkim-Shpëtimit e FSK-së, zjarrfikësit, Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, si dhe qytetarë vullnetarë që kanë ofruar mbështetje në terren.
Mbështetje në këtë iniciativë ka dhënë edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, i cili ka kontribuuar në koordinimin e institucioneve lokale dhe komunitetit për të ndihmuar në përpjekjet për gjetjen e personit të zhdukur.
Policia e Kosovës ka shprehur mirënjohje për të gjitha institucionet, ekipet profesionale dhe qytetarët vullnetarë që janë angazhuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në këtë operacion kërkimi.
Operacioni i kërkimit për gjetjen e personit të zhdukur po vazhdon. /Zëri