Ndalohen mbi 38 mijë lodra në vlerë prej 100 mijë euro, s’i plotësonin standardet e sigurisë

Ndalohen mbi 38 mijë lodra në vlerë prej 100 mijë euro, s’i plotësonin standardet e sigurisë

Kronika March 14, 2026 - 14:51

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka zhvilluar një aksion të mbikëqyrjes dhe inspektimit të lodrave për fëmijë, me qëllim garantimin e sigurisë së produkteve që vendosen në tregun e brendshëm dhe në zonat doganore.

Si rezultat i inspektimeve të kryera në zonat doganore, janë ndaluar mbi 38,000 copë lodra për fëmijë, në vlerë prej afro 100,000 €, të cilat sipas ministrisë së Industrisë, nuk kanë përmbushur kërkesat ligjore për sigurinë e produkteve dhe nuk kanë poseduar dokumentacionin përkatës për vendosje në tregun e brendshëm.

“Në kuadër të këtij aksioni janë realizuar kontrolle të shtuara si në tregun e brendshëm ashtu edhe në zonat doganore, për të parandaluar hyrjen dhe qarkullimin e lodrave, që nuk përmbushin standardet e kërkuara të sigurisë të parapara në Rregulloren Nr. 02/2017 për Sigurinë e Lodrave. Si rezultat i inspektimeve të kryera në zonat doganore, janë ndaluar mbi 38,000 copë lodra për fëmijë, në vlerë prej afro 100,000 €, të cilat nuk kanë përmbushur kërkesat ligjore për sigurinë e produkteve dhe nuk kanë poseduar dokumentacionin përkatës për vendosje në tregun e brendshëm”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, ministria ka bërë të ditur se gjatë kontrolleve në tregun e brendshëm, janë sekuestruar mbi 2,547 copë lodra për fëmijë, për të cilat është konstatuar se nuk i përmbushnin standardet e sigurisë.

“Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut thekson se siguria e konsumatorëve, e në veçanti e fëmijëve, mbetet prioritet i pandashëm.Përmes këtyre aksioneve synohet që në treg të gjenden produkte të sigurta dhe në përputhje me standardet ligjore, duke kontribuar kështu në mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve.Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të vazhdojë me kontrolle të rregullta dhe aksione të tilla edhe në të ardhmen, duke ftuar njëkohësisht operatorët ekonomikë të respektojnë plotësisht kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë për produktet që i vendosin në treg”, thuhet ndër të tjera në njoftim.