Aksion kundër fajdeve në Prizren, rreth 700 mijë euro dëmi që iu shkaktua viktimës
Foto: Laura Hasani

Aksion kundër fajdeve në Prizren, rreth 700 mijë euro dëmi që iu shkaktua viktimës

Kronika March 16, 2026 - 14:38

Policia e Kosovës të hënën ka realizuar një operacion kundër fajdeve në Prizren.

Ky aksion u zhvillua në kuadër të hetimeve ndaj pesë personave të dyshuar me inicialet: B.K., GJ.K., E.K., E.K. dhe E.R., të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale “Fajdeja”, “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Detyrimi”.

PK-ja thotë se të dyshuarit në mënyrë të vazhdueshme e kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme parash si interes për fajde, duke përdorur forma të ndryshme të presionit dhe dhunës. Po ashtu, ata dyshohet se në raste të caktuara e kanë privuar viktimën edhe nga liria, me qëllim që ta detyrojnë të paguajë kamata të larta të fajdesë.

“Dëmi i shkaktuar ndaj viktimës, sipas vlerësimeve fillestare, arrin shumën rreth 700.000 (shtatëqind mijë) euro, ndërsa të dyshuarit dyshohet se kanë kërkuar edhe rreth 450.000 euro shtesë në emër të interesit të fajdesë”, thuhet ndër të tjera.

Përveç kësaj, janë bastisur edhe pesë lokacione në Prizren dhe është arrestuar një person i dyshuar, kurse të tjerët ndodhen në kërkim.

“Me vendim të prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore në Prizren, ndaj personit të arrestuar është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar”, thuhet në komunikatë. /Zëri