Vrasja në Gjakovë, i dyshuari identifikohet dhe dorëzohet në Polici – gjithçka që dihet deri tani
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të hënën në orët e hershme të mëngjesit në Gjakovë, ku një person i moshës 38 vjeç humbi jetën, ndërkaq një tjetër (vëllai i tij) ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Rasti ka ndodhur rreth orës 05:30 në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, të hënën bëri të ditur se në vendin e ngjarjes janë sekuestruar prova materiale, përfshirë disa gëzhoja dhe një armë e ftohtë.
“Atë që mund ta ndajmë tash, në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja të armës së zjarrit, po ashtu është gjetur edhe një armë e ftohtë. Kjo është e gjitha që mund të ndajmë aktualisht me publikun, duke qenë se jemi në fazën fillestare të hetimeve”, ishte shprehur Elezaj.
Sipas informacioneve fillestare, rasti dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti brenda një lokali në këtë zonë.
Ndërkaq, pas rastit tragjik nga Prokuroria Themelore e Gjakovës kanë konfirmuar për Telegrafin se personi i dyshuar është identifikuar.
“Me të pranuar informatën kryeprokurori ka dalë në vendin e ngjarjes. I dyshuari është identifikuar dhe i njëjti është në arrati dhe në kërkim nga ana e policisë. Rasti është cilësuar si ‘vrasje e rëndë’, ndërkaq trupi i viktimës me urdhër të kryeprokurorit do të dërgohet në IML për obduksion”, ishte shprehur Drin Domi, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore.
Vetëdorëzohet në polici i dyshuari për vrasjen në Gjakovë
I dyshuari për vrasjen që ndodhi gjatë të hënën në Gjakovë është vetëdorëzuar në polici.
Lajmi është konfirmuar nga drejtori i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta.
Ndryshe, lidhur me rastin tragjik në Gjakovë, Policia është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave.