I dënuari me 6 vjet burgim për sulm dhe kanosje ndaj gjyqtarit në Drenas kërkon zbutje të dënimit në Apel
Foto: Laura Hasani

I dënuari me 6 vjet burgim për sulm dhe kanosje ndaj gjyqtarit në Drenas kërkon zbutje të dënimit në Apel

Kronika March 17, 2026 - 12:36

Në Gjykatën e Apelit të martën është mbajtur seanca ndaj të akuzuarit D.Z., i cili nga Gjykata Themelore në Prishtinë është dënuar me 6 vjet burgim për sulm dhe kanosje ndaj gjyqtarit mbikëqyrës të Gjykatës në Drenas, Shefqet Baleci.

Ankesë ndaj vendimit të Themelores kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit D.Z., avokati Ibrahim Shala, për shkak të sanksionit penal, duke kërkuar nga Apeli ta ndryshojë dhe të shqiptojë dënim më të butë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, Prokuroria e Apelit përmes parashtresës ka kërkuar vërtetimin e vendimit të Themelores.

Lidhur me vendimin e Themelores, përfaqësuesi i palës së dëmtuar Shefqet Baleci, avokati Ibrahim Dobruna, në seancë deklaroi se mbetet pranë ankesës, duke theksuar se i bashkohet ndjekjes penale. Tha se do të parashtrojnë kërkesë pasurore-juridike sipas aktgjykimit të Themelores.

Kurse, avokati Shala deklaroi se mbetet pranë ankesës, në të cilën ka theksuar se aktgjykimi i nxjerrë nga Themelorja nuk ka koherencë profesionale në raport me rrethanat rënduese dhe lehtësuese, andaj si i tillë nuk është i qëndrueshëm.

Sipas avokatit Shala, Themelorja në vendimin e saj nuk ka vendosur në mënyrë meritore dhe të drejtë, si dhe në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në fund, Shala propozoi që kolegji i Apelit të ndryshojë vendimin e nxjerrë nga Themelorja ose lëndën ta kthejë në rivendosje. Edhe i akuzuari D.Z., deklaroi se pajtohet me mbrojtësin e tij.

Themelorja më 20 nëntor 2025 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit D.Z., me të cilin e kishte dënuar me gjashtë vite burgim.

I akuzuari D.Z., në seancën e 17 nëntorit 2025, kishte pranuar fajësinë për veprat penale që i viheshin në barrë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 14 tetor 2025, i akuzuari D.Z., ngarkohet se më 5 gusht 2025, në Drenas, në lidhje me detyrën zyrtare të palës së dëmtuar- Shefqet Baleci si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Dega në Drenas, për shkak te veprimeve të tij zyrtare në nxjerrjen e një aktgjykimi me të cilin i pandehuri është dënuar me gjashtë muaj me burg efektiv dhe dënim me gjobë në shumë prej 300 euro, i pandehuri iu ka afruar palës së dëmtuar fillimisht duke iu drejtuar me fjalët “A e din çka um ke ba”, pastaj prej xhepit të djathtë e kishte nxjerrë një thikë, me të cilin e sulmon dhe kanoset se do ta sulmojë gjyqtarin Baleci, duke tentuar për ta goditur në trup, mirëpo në mes ndërhyri bashkëshortja e gjyqtarit, duke mos e lejuar ta godiste atë.

Me këto veprime, D.Z., akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402, par. 4 lidhur me par. 2 dhe 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Z., në vazhdimësi më 27 dhjetor 2022, brenda Gjykatës në Drenas, në lidhje me detyrën zyrtare të gjyqtarit Baleci, për shkak të veprimeve zyrtare të këtij të fundit lidhur me nxjerrjen e një aktgjykimi me të cilin ishte dënuar me 6 muaj burgim efektiv dhe iu ka vazhduar paraburgimi deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit, i pandehuri ka hyrë në seancën e shqyrtimit fillestar, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, ju ka kanosur seriozisht gjyqtarit duke iu drejtuar me fjalët “Hajt se të kallxoj ty sa të dal nga burgu”, me çka të dëmtuarit i shkakton ndjenjën e frikës.

Në aktakuzë thuhet se në kohën, datën dhe vendin e njëjtë si në pikën I të dispozitivit të aktakuzës, në lidhje me detyrën zyrtare të të dëmtuarit Shefqet Baleci, për shkak të aktgjykimit me të cilin është dënuar me 6 muaj burgim dhe 300 euro gjobë, ka kanosur gjyqtarin me fjalët “Hajt se masi je me gru nuk po të nguci se kur të nxa vetëm kam me ta hjek kryte”, me çka të dëmtuarit i shkakton ndjenjën e frikës.

Për këtë, Z., akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” në vazhdimësi nga Neni 181, par. 3 lidhur me par. 2 dhe lidhur me Nenin 77 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi