Një muaj paraburgim të dyshuarit për vrasje të rëndë në Gjakovë
Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, duke ia caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit N.Z., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, më 16 mars 2026, rreth orës 05:20, në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë, saktësisht në një lokal, i pandehuri dyshohet se me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin R.B., duke rrezikuar edhe jetën e të dëmtuarit E.M., si dhe të personave të tjerë të pranishëm në vendin e ngjarjes, raporton Zeri.info.
Në njoftim thuhet se pas një mosmarrëveshjeje, i pandehuri dyshohet se ka shtënë disa herë me armë zjarri – pistoletë e llojit TT – në drejtim të viktimës, e cila si pasojë e plagëve të marra në pjesë të ndryshme të trupit ka ndërruar jetë në afërsi të vendit të ngjarjes.
“Si pasojë e të shtënave, i dëmtuari E.M. ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në emergjencën e Spitali Rajonal ‘Isa Grezda’, ndërsa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes. Gjyqtari i procedurës paraprake, Samedin Cena, pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në njoftim.
Me këtë vendim i pandehuri do të mbahet në paraburgim për një muaj, periudhë që llogaritet nga data e arrestimit më 16 mars 2026 deri më 16 prill 2026. Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykata e Apelit e Kosovës. /Zëri