Policia e Vjenës jep detaje për rastin ku vdiqën tre kosovarë
Katër të vdekur dhe një i plagosur rëndë, është bilanci i fatkeqësisë që ndodhi të martën në një kantier ndërtimi në Vjenë, si pasojë e rrëzimit të skelave.
Tre nga katër të vdekurit janë shtetas të Kosovës, ka konfirmuar Policia e Vjenës.
“Tre nga katër punëtorët e vdekur në punishten e ndërtimit janë shtetas kosovarë”, theksohet në përgjigjen me shkrim për RTK-Radio nga zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë për Marrëdhënie me Publikun në Vjenë, Philip Hasslinger.
Ai tutje ka bërë të ditur se Policia e Vjenës së bashku me Inspektoratin e Punës kanë filluar hetimet në gjitha drejtimet për të gjetur shkakun e fatkeqësisë, teksa ka dhënë detaje nga ky aksident tragjik.
“Përkundër përpjekjeve të emergjencës dhe ekipeve të shpëtimit, ata u nxorën pa jetë nën gërmadha".
"Deri te aksidenti ka ardhur gjatë betonimit të konstruksionit në kulmin e një ndërtese, i cili ishte shembur duke rënë bashkë me skelën në momentin kur pesë punëtorët ndodheshin duke punuar”, theksohet në komunikatën e policisë vjeneze për media.
Ndërkohë, Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë, ka konfirmuar se viktimat janë Pajtim Bajrami, 26 vjeç dhe Asllan Musliu 49 vjeç, kurse personi tretë sipas njoftimit, është Istref Zekaj.
Lidhur me këtë tragjedi ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili përmes një postimi në rrjete sociale ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është në komunikim të ngushtë me Ambasadën tonë në Vjenë për të ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme”, ka shkruar Kurti duke shtuar se ishte i tronditur nga kjo ngjarje tragjike.
Ngushëllime për familjet e viktimave ka shprehur edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Përmes, një postimi në profilin e saj në rrjetet sociale, Haxhiu ka shkruar se ndihej e tronditur nga lajmi për vdekjen tragjike të Pajtim Bajramit, Asllan Musliut dhe Istref Zekajt në një kantier ndërtimi në Vjenë.
Ngushëllime për familjet e viktimave kanë shprehur edhe krerët e subjekteve politike në vend.