Aktakuzë katër personave për falsifikim të rezultateve të votimit në zgjedhjet e dhjetorit 2025

Aktakuzë katër personave për falsifikim të rezultateve të votimit në zgjedhjet e dhjetorit 2025

Kronika March 18, 2026 - 13:26

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve me inicialet Y.S., B.V., Sh.B. dhe R.R., për veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit”.

Sipas aktakuzës, më 30 dhjetor 2025, në Qendrën Komunale të Numërimit në Shtime, të pandehurit, në cilësinë e anëtarëve të ekipit të numërimit të votave, kanë ndërmarrë veprime të koordinuara për të shtrembëruar rezultatet e votimit, në kundërshtim me rregullat dhe procedurat zgjedhore.

Y.S., në rolin e dëftuesit të votave, ka komunikuar të dhëna të pasakta nga fletëvotimet.

B.V., me qasje ekskluzive në sistemin elektronik të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka regjistruar të dhëna të pasakta, pa mekanizma verifikimi nga anëtarët e tjerë.

Sh.B. dhe R.R., edhe pse aktivë në procesin e ndarjes dhe verifikimit të fletëvotimeve, nuk ndërmorën veprime për të parandaluar ose korrigjuar parregullsitë, duke lejuar zhvillimin e një procesi të parregullt dhe të pakontrolluar.

Si rezultat i këtyre veprimeve të organizuara dhe mungesës së kontrollit të ndërsjellë, u regjistruan rezultate të pasakta për kandidatët, të cilat u konstatuan si mospërputhje thelbësore gjatë rinumërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), duke cenuar integritetin dhe ligjshmërinë e zgjedhjeve.

Prokurori i çështjes ka propozuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga Neni 216, paragrafi 1, lidhur me Nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës. /Zëri