Pas dhunës, fëmija 5-vjeçar në gjendje stabile

Pas dhunës, fëmija 5-vjeçar në gjendje stabile

Kronika March 19, 2026 - 22:49

Një rast i rëndë dhune fizike ndaj një fëmije 5-vjeçar ka ndodhur dy ditë më parë në Lipjan. Gjendja shëndetësore e tij është stabile, por shqetësuese mbetet aspekti psikologjik. Psikologët theksojnë se, pas trajtimit mjekësor, kujdesi psikologjik është i domosdoshëm.

 Fëmija 5-vjeçar, i cili ka përjetuar dhunë nga nëna e tij, e ka kaluar me sukses intervenimin kirurgjik plastik në njërën nga shputat. Ai është duke u trajtuar në mjekimin intensiv në Klinikën e Pediatrisë dhe gjendja e tij shëndetësore është stabile.

“Dje ai i është nënshtruar një ndërhyrjeje. Sot gjendja është stabile, ka filluar pak edhe komunikim verbal, ka pasur një anemi të lehtë dhe janë marrë të gjitha masat për ta evituar. Gjendja në aspektin shëndetësor është e mirë, dhe po e merr veten shumë shpejt,” tha Arben Vitija, Ministër i Shëndetësisë.

Por e rënduar vazhdon të mbetet gjendja e tij psikike. Madje psikologja Tringa Visoka thotë se pas shërimit, fëmija menjëherë duhet të trajtohet nga mjekët e shëndetit mendor.

“Traumat që mund të përcillen tek fëmija kanë tendencë të shfaqen më vonë, sepse në këtë moshë ai nuk e kupton plotësisht se çfarë i bëhet. Me rritjen, ai do të vërejë se sa shumë ka ndikuar dhuna,” tha Tringa Visoka, psikologe.

Sipas ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, zyra për punë sociale në Lipjan është duke u hetuar nga njësia hetuese e ministrisë.

“Bazuar në gjetjet e njësisë hetuese, ministri ka të drejtë të revokojë licencat për individët që janë ushtrues të shërbimeve në këtë QPS apo edhe në të tjera, dhe gjithashtu ka të drejtë të revokojë licencën e QPS-së në tërësi,” tha Andin Hoti, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale..

Me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla, ministri Hoti premtoi se do të hartohet rregullorja përmes së cilës, secila qendër për punë sociale të ketë minimum 38 inspektime të rregullta në vit, në bazë të ankesave. /rtk