Ekstradohen në Itali dy kushërinj të dënuar për vrasje, fshiheshin prej vitit 1999 në Dibër
Dy shtetas shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe të dënuar për vrasje në Itali, janë ekstraduar këtë të premte nga Shqipëria drejt autoriteteve italiane.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, bëhet fjalë për shtetasit Andon (alias Afrim) Sina, 52 vjeç, dhe Niko (alias Faslli) Sina, 49 vjeç, të dy banues në fshatin Rreth-Kalë, Dibër.
“Ekstradohen drejt Italisë dy shtetas të dënuar për vrasje, të kapur në Dibër në mars 2025, gjatë operacionit policor të koduar ‘Difficult Conditions’, i zhvilluar në kushte të vështira terreni dhe moti”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, dy kushërinjtë ishin pjesë e listës së 100 personave më të kërkuar në Itali dhe prej vitit 1999 kishin arritur t’i shmangen drejtësisë duke u fshehur në Dibër dhe duke përdorur identitete të rreme.
Operacioni për kapjen e tyre ishte realizuar nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
“Në përfundim të procedurave për ekstradim, ditën e sotme, nga Interpol Tirana, u ekstraduan drejt Italisë shtetasit Andon (alias Afrim) Sina dhe Niko (alias Faslli) Sina”, njofton Policia.
Të dy të ekstraduarit janë dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit e Napolit, në vitin 2006, me nga 14 vjet e 11 muaj burgim secili, për veprat penale “Vrasja me dashje e kryer në bashkëpunim” dhe “Vrasja e mbetur në tentativë”.
Krimi për të cilin ata janë dënuar ka ndodhur më 22 shtator 1999, në komunën Gricignano d’Aversa në Itali. Sipas autoriteteve, ata kanë vrarë me sende të forta dhe mjete prerëse një shtetas shqiptar me inicialet B. C., si dhe kanë plagosur rëndë një tjetër shtetas shqiptar, F. S.
“Ngjarja ka ndodhur për arsye të lidhura me ndarjen e të ardhurave nga aktivitete të paligjshme”, thekson Policia e Shtetit në njoftimin e saj.