81-vjeçari goditet për vdekje nga një veturë në Piranë të Prizrenit, arrestohet i dyshuari
Një person i moshuar është goditur për vdekje nga një veturë pasditen e sotme në fshatin Piranë të Prizrenit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi ka bërë të ditur se viktima është një 81-vjeçar i cili ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
“Më datën 22.03.2026, rreth orës 18:30, është raportuar një aksident trafiku në magjistralen Prizren–Gjakovë, në fshatin Piranë, Prizren. Sipas informatave të para, një këmbësor është goditur nga një veturë gjatë tentimit për të kaluar rrugën. Si pasojë e lëndimeve të rënda trupore, këmbësori D.H., mashkull rreth 81-vjeçar, ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, gjë e cila është konstatuar nga ekipi mjekësor emergjent”, ka thënë Bytyqi.
Bytyqi bëri të ditur se tashmë është arrestuar i dyshuari dhe se trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML në Prishtinë.
“Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është ndaluar për procedura të mëtejme. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, theksoi Bytyqi
Bytyqi tha se Policia është duke i vazhduar hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. /Zëri