E dyshuara për vrasjen e dyfishtë në Majac të Podujevës, në gjendje të rëndë

E dyshuara për vrasjen e dyfishtë në Majac të Podujevës, në gjendje të rëndë

Kronika March 23, 2026 - 09:16

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmë në fshatin Majac të Podujevës, ku një 42-vjeçar me iniciale I.B. dyshohet se është vrarë me armë zjarri nga 31-vjeçarja A.G., e cila ka mbetur e plagosur dhe ka plagosur edhe gruan e xhaxhait të vet, shkruan “Zëri”.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se e moshuara ka vdekur në orën 03:00 të mëngjesit të sotëm, kurse e dyshuara A.G. është në gjendje shumë të rëndë.

“Pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor, pacientja e lindur në vitin 1953 ka vdekur në orën 03:00 pas mesnate. Gjendja e pacientes tjetër mbetet shumë e rëndë dhe po vazhdon trajtimi intensiv nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor”, njofton SHSKUK-ja.

Njoftimi i plotë i SHSKUK-së, pa ndërhyrje:

Sot, në orët e vona të mbrëmjes, në Qendrën Emergjente janë pranuar dy paciente të gjinisë femërore, njëra e lindur në vitin 1953 dhe tjetra 31-vjeçare, të sjella me autoambulancë nga Podujeva, si pasojë e lëndimeve të marra nga arma e zjarrit.

Menjëherë pas pranimit, janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme emergjente. Të dy pacientet janë pranuar në gjendje shumë të rëndë dhe jostabile dhe janë intubuar me frymëmarrje të asistuar.

Njëra nga pacientet është dërguar në sallën operative, ku ekipet e Neurokirurgjisë dhe Anestezionit janë duke vazhduar trajtimin intensiv.

Pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor, pacientja e lindur në vitin 1953 ka ndërruar jetë në orën 03:00 pas mesnate.

Gjendja e pacientes tjetër mbetet shumë e rëndë dhe po vazhdon trajtimi intensiv nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor. /Zëri