Aksion i madh i Antidrogës në Prishtinë, në pranga pesë persona

Aksion i madh i Antidrogës në Prishtinë, në pranga pesë persona

Kronika March 26, 2026 - 09:39

Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion të quajtur “Delivery”, ku cak ishte mbledhja e informacioneve për aktiviteteve kriminale në fushën e narkotikëve.

Fillimisht, nga informatat e mbledhura janë identifikuar dy persona, të cilët dyshoheshin për shpërndarje të substancave narkotike në rajonin e Prishtinës, raporton Zeri.info.

“Më datën 25.03.2026, rreth orës 14:00, është zbatuar një plan taktik operacional, ku të dyshuarit janë lokalizuar në dalje të autostradës në Veternik, duke lëvizur me një veturë të tipit Golf 8 me targa vendore. Me të vërejtur prezencën e policisë, të njëjtit kanë tentuar të ikin me shpejtësi të lartë, duke rrezikuar seriozisht sigurinë në komunikacion.

Gjatë ndjekjes, të dyshuarit kanë lëvizur në drejtim të Fushë-Kosovës, më pas drejt Podujevës, për t’u kthyer sërish në magjistralen Prishtinë–Mitrovicë. Ndjekja ka përfunduar në hyrje të qytetit të Vushtrrisë, ku njësitë policore kanë arritur t’i ndalojnë dhe t'i arrestojnë të dyshuarit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, të dyshuarit i është kontrolluar edhe vetura, ku i janë gjetur e sekuestruar:

Dy paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë totale prej 2,221 gramësh;

Një cigare e mbushur me marihuanë me peshë 1.5 gram;

“Po ashtu, gjatë rrugës së ikjes, në fshatin Raskovë, është gjetur një paketim tjetër me marihuanë me peshë 1,117.5 gram, i cili dyshohet se është hedhur nga të dyshuarit gjatë ndjekjes”, thuhet ndër tjera.

Po ashtu janë realizuar edhe bastisje në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku janë gjetur dhe sekuestruar:

• Sasi të vogla të marihuanës (gjithsej 34.2 gramë);

• Dy peshore digjitale;

• Para të gatshme në vlerë prej 4045 euro, 40 funte dhe 40 franga;

• Dy vetura;

• Katër telefona celularë.

“Gjithashtu, është kontrolluar edhe një veturë tjetër e përdorur nga të dyshuarit, ku janë gjetur 25 qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë totale prej 11.9 gramësh.

Operacioni policor i antidrogës ka rezultuar me gjithsej katër (4) persona të arrestuar.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Forenzikës Rajonale në Prishtinë, të cilat kanë kryer dokumentimin dhe konfiskimin e të gjitha provave materiale”, thuhet ndër të tjera. /Zëri