Naim Murseli insiston se në natën kritike ishin pre e grabitjes
Foto: Laura Hasani

Naim Murseli insiston se në natën kritike ishin pre e grabitjes

Kronika March 26, 2026 - 11:08

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, edhe të enjten po vazhdon me dhënien e mbrojtjes i akuzuari Murseli. I akuzuari sërish tha se në natën kritike kanë qenë pre e grabitjes, derisa pretendon se iu kërkuan vetëm paratë e telefonat. 

Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Naim Murseli e nisi mbrojtjen më 29 janar 2026 dhe e vazhdoi edhe më 11 shkurt. Të enjten e 26 marsit, pyetjet për këtë të akuzuar po i vazhdon trupi gjykues.

Murseli përsëriti se natën kritike ka qenë pre e gabitjes nën kërcënimin e armës. Tha se atë natë, tani e ndjera kishte me vete kuletën me para.

Image

Por, trupi gjykues e ballafaqoi me foto të gjësendeve që Liridona Ademaj kishte me vete natën kritike, ku shihen dy byzylykë ari dhe një unazë ari. Aty iu paraqitën edhe pamje të viktimës nga vendi i ngjarjes, për çka Murseli tha se nuk mund t’i shikojë ato pamje të të ndjerës.

I pyetur se përse gjatë grabitjes së pretenduar tani të ndjerës nuk i janë marrë stolitë, Murseli tha se u janë kërkuar vetëm telefonat dhe paratë.

“S’ka kërku gjë tjetër dhe kur kam ikë nga vetura me fëmijët, unë s’kam ditë a ka marrë diçka se nuk e kam pa ngjarjen”, u shpreh Murseli.

Sipas tij, njëri nga fëmijët ishte i ulur prapa tij, e tjetri prapa tani të ndjerës.

Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku e ballaqoi të akuzuarin me një foto të veturës, ku ishin fëmijët e ulur, ku kishte qenë pjesa ndarëse në mes fëmijëve, derisa e pyet se a kanë dalë ata nga e njëjta derë e që si ka mundësi lodra nuk ka lëvizë.

“Nuk e di gjyqtare, unë po të tregoj qysh ka ndodhë”, tha ai.

Image

Murseli sërish përsëriti se me të akuzuarin Granit Plava kishin blerë armën spontanisht dhe se ia kishte paguar vetë. Tha se ia bleu armën ngase Plava i kishte thënë se do ta shiste dyfish të nesërmen, dhe se ky nuk do të përfitonte asgjë, vetëm se i kishte “ndihmuar” ngase ishte shok i Kushtrim Kokallës dhe bashkëfshatar i tij.

I pyetur nëse e di që me atë revole është vrarë bashkëshortja e tij, Murseli u përgjigj shkurt “Po, e kam kuptu”.

Në restorantin ku ishin natën kritike me tani të ndjerën dhe fëmijët, Naim Murseli tha se kanë qëndruar më shumë se një orë. Tha se në asnjë moment nuk e kishte parë Plavën.

Ndërkaq, i pyetur se përse në natën kritike shkoi në hotel kurse fëmijët i kishte larg vetes, Murseli tha se fillimisht kanë qenë në stacion policor ku kishte qenë edhe baskëshortja e Leonard Ademajt e cila po merrej me fëmijët. Sipas tij, policia i kishte thënë të qëndronte në Prishtinë sepse mund ta thërrisnin sërish për ta marrë në pyetje.

Sipas të akuzuarit, edhe fëmijët kanë qenë dakord që atë natë të shkonin tek dajtë.

Po ashtu, Murseli tha se tani të ndjerën nuk e kishte parë të vrarë në vendin e ngjarjes, ndonëse atë natë kishte shkuar me policë aty, me arsyetimin se ata nuk e kishin lënë të afrohet. Tha se e pa të nesërmen në morg.

Në momentin kur pretendon se kishte ndodhur grabitja, tha se i kishte kërkuar Liridonës që t’ia jepte grabitësit paratë. Tha se në gjuhën suedeze i kishte thënë Liridonës të dilte nga vetura.

Më tej, Murseli deklaroi se Plava kishte qenë në mes të rrugës, e që ka mundur edhe ta shkelte, por që tani e ndjera kishte bërtitur të ndalet.

“Ka qenë moment shoku, vendim i gabun. Po kështu ndodhi, nuk kam ditë si me vepru ndryshe”, tha ai.

Krismën e armës, ai thotë se e dëgjoi diku 20-30 metra larg, ndërkaq shtoi se kur krisi arma, nuk e ktheu kokën pas ngase mendoi se e shtëna ishte në drejtim të tyre.

Në këtë seancë nuk po merr pjesë i dëmtuari- Leonard Ademaj (vëllai i tani të ndjerës Liridona Ademaj).

Ndryshe, raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale. Edhe në seancën e 22 shtatorit 2025, ekspertët Shpend Haxhibeqiri dhe Bujar Obërtinca, konstatuan se të akuzuarit Murseli dhe Plava nuk kanë çrregullime mendore.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua nga Themelorja me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Por, Gjykata e Apelit me vendimin e 10 dhjetorit 2025, ndryshoi vendimin e Themelores, duke e dënuar Dodajn me 3 vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë për shitjen e armës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro.