Naim Murseli thotë që s’e di si iu shkaktuan Liridonës lëndimet në dorën e majtë
Foto: Laura Hasani

Naim Murseli thotë që s’e di si iu shkaktuan Liridonës lëndimet në dorën e majtë

Kronika March 26, 2026 - 12:14

I akuzuari Naim Murseli, derisa dha mbrojtjen para Gjykatës Themelore në Prishtinë, të enjten, tha se nuk di për lëndimin që tani e ndjera Liridona Ademaj kishte në dorën e majtë.

“Ju siguroj edhe një herë që në momentin e ngjarjes, unë dhe fëmijët nuk kemi qenë në veturë, e si ka ndodh ai lëndim (lëndimi që Liridona kishte në dorën e majtë), nuk e di unë se nuk e kom pa”, tha Murseli.

Fillimisht, i pyetur lidhur me lëndimet që tani e ndjera kishte në dorën e majtë, ndonëse në veturë ishte në anën e djathtë e që pikërisht në atë anë pretendohet se u erdhi Plava, Murseli s’kishte përgjigje për këtë pjesë.

I akuzuari Naim Murseli tha se arma ishte blerë ditën kur ndodhi vrasja- disa orë më herët.

Duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarit të trupit gjykues Alban Ajvazi, Murseli tha se kur kishte ndodhur krisma nuk e kishte kthyer kokën por ka vazhduar të vrapojë, por thotë se nuk i kujtohet saktë nëse e ka kthyer kokën apo jo.

Sipas tij, pasi kishte dëgjuar krismën e armës, në vendin ku ndodhi vrasja kishte ardhë një veturë me vrull, sipas tij, ka parë një person të maskuar.

Më tej, Murseli tha se personin që shkoi i maskuar për sikurse pretendon ai grabitje, nuk e ka njohur sepse e kishte ndryshuar zërin.

“Ka qenë i gjatë, me rroba të zeza”, deklaroi Murseli.

Po ashtu, i akuzuari Naim Murseli tha se nuk i kujtohet pse kishte dalë jashtë marketit- vendi i parë që thuhet se shkoi pas ngjarjes bashkë me fëmijët. Tha se Valon Llukën e thirri të parin sepse iu kujtua ai numër.

Por për Kushtrim Kokallën thotë se nuk e di se kush e kishte thirrë. Ndërkaq, për shkuarjen e këtij të fundit në hotelin ku qëndroi atë natë, tha se dhoma ishte rezervuar nga Lluka.

Ai pretendon se në qendrën e ndalimit nuk i është bërë kontrollë mjekësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kur ka shkuar në morg, Murseli pretendon se iu konfiskuan 1 mijë e 350 euro.

“Valoni m’i ka dhanë 2 mijë euro afër morgut, kam ble sanak e sene tjera dhe pjesa që m’u ka sekuestru kanë qenë kusuri prej atyre 2 mijë euro”, thotë ai.

Në këtë seancë, i akuzuari Murseli tha se gjatë takimeve me Plavën, nuk kishte folur asgjë me të për jetën personale, sidomos për anën financiare. Ai shtoi se takimi i parë me të ishte rastësor, kur ishte takuar me Kokallën.

Kurse, takimi i dytë, sipas tij, ishte i planifikuar me Kushtrimin. E i treti, Murseli thotë se ndodhi pasi Kokalla bisedoi me të dhe i kishte thënë të takohen Murseli e Plava.

Me kaq përfundoi mbrojtjen Murseli, për të vazhduar në sesionin e pasdites me Plavën.