I moshuari gjendet pa shenja jete në rrugë në Prizren, Policia kërkon ndihmë për identifikim
Foto: Laura Hasani

I moshuari gjendet pa shenja jete në rrugë në Prizren, Policia kërkon ndihmë për identifikim

Kronika March 26, 2026 - 16:18

Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një burri të moshuar, rreth 70 vjeç, i cili është gjetur pa shenja jete në rrugën “Edit Durham” në Prizren.

Sipas njoftimit të PK-së thuhet se rreth orës 11:36, autoritetet kanë pranuar informacion për një person të shtrirë në rrugë pa shenja jete, gjë që është konfirmuar edhe nga ekipi i urgjencës, raporton Zeri.info.

"Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë patrullat policore, njësia e hetuesisë si dhe ekipi i krim-teknikës, në zonën pranë banesave të ish-TMK-së", thuhet në njoftim.

Sipas të dhënave fillestare, viktima është një mashkull i moshuar, ende i paidentifikuar. Mjekët e Urgjencës kanë konstatuar se ai kishte ndërruar jetë të paktën 2 deri në 3 orë para mbërritjes së tyre, ndërsa në trup nuk janë vërejtur shenja dhune.

"Në vendin e ngjarjes po ashtu kanë dalë edhe hetuesit rajonalë, të cilët, në konsultim me prokurorin e shtetit, e kanë iniciuar rastin si “hetim i vdekjes”. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminime të mëtejshme", thuhet në njoftimin e Policisë..

Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që, nëse kanë ndonjë informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e viktimës, të lajmërohen në stacionin më të afërt policor ose përmes numrit 192. /Zëri