Pyetjet mbi jetën private, mbyllet seanca për vrasjen e Liridona Ademajt
Foto: Laura Hasani

Pyetjet mbi jetën private, mbyllet seanca për vrasjen e Liridona Ademajt

Kronika March 27, 2026 - 11:40
I plotësuar

Gjyqtari i rastit ka vendosur të mbyllë për publikun shqyrtimin e sotëm gjyqësor për shkak të natyrës së pyetjeve që lidhen me jetën personale të të akuzuarit Naim Murseli dhe të ndjerës Liridona Ademaj.

Prokurorja Javorka Perlinqeviq tha se Prokuroria pajtohet me këtë vendim, duke theksuar se pyetjet e parashtruara janë të natyrës private. Avokati i palës së dëmtuar, Leotrim Syla, shtoi se nëse do të ketë ndonjë informacion që lidhet me jetën private të Murselit dhe Liridonës, atëherë vetëm pjesa e paradites duhet të mbyllet për publikun.

Gjyqtari, duke iu referuar Nenit 289 të Kodit të Procedurës Penale, konfirmoi vendimin për të mbyllur seancën publike gjatë pyetjeve ndaj të akuzuarit Kushtrim Kokalla për jetën private të Naim Murselit dhe Liridona Ademajt. /Betimipërdrejtësi

Kushtrim Kokalla: Për vrasjen e Liridonës kuptova nga portalet

I akuzuari Kushtrim Kokalla ka deklaruar në Gjykatë se për vrasjen e Liridona Ademajt ka mësuar fillimisht nga portalet dhe jo nga përfshirja direkte në ngjarje.

Kokalla tha se në momentin e ngjarjes ndodhej në shtëpinë e tij me të afërmit, kur shoku i tij Flori e informoi për incidentin. Ai shtoi se fillimisht kishte menduar se bëhej fjalë për një grabitje, pasi lajmet e para raportuan për këtë. Tha se kishte tentuar të kontaktonte Naim Murselin, por telefoni i këtij të fundit ishte i paqasshëm, dhe vetëm pas 20-30 minutash kuptoi se ishte vrasje.

Ai deklaroi gjithashtu se kishte shkuar në Prishtinë bashkë me familjen e tij për të qëndruar pranë familjes Ademaj, duke theksuar se nuk kishte pasur rol në ngjarje.

Për qëndrimin në hotel, Kokalla tha se dhomën e kishte paguar një mik, Valon Lluka, pasi ai nuk kishte mundësi të përballonte koston e një dhome luksoze.

Kokalla tha para gjykatës se problemet mes çiftit ishin të njohura jo vetëm për të, por edhe për familjet respektive, duke përfshirë çështje pune dhe xhelozi. “Të gjithë e dinin për këto probleme, të mëdhenj e të vegjël”, tha ai.

Ai shtoi se nuk ishte i vetmi që e dinte për tensionet mes Naimit dhe Liridonës dhe mohoi çdo lidhje me planin e vrasjes.

Sipas deklaratës së tij, gjatë ditës kritike nuk kishte pasur kontakte me Naimin apo Granitin, përveç një mesazhi të shkurtër. Ai gjithashtu tha se nuk kishte njohuri për personin Tom Dodaj dhe nuk ishte në dijeni për takimet mes Naimit dhe Granitit deri në kohën e seancës së gjykatës.

Kokalla: Në Polici më thanë se isha kryesori i rastit

Image

Në Gjykatën Themelore ka vazhduar seanca për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ku i akuzuari Kushtrim Kokalla ka dhënë mbrojtjen e tij, duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit të tij, Ndrec Doda.

Kokalla deklaroi se e kujton intervistimin në polici më 1 dhjetor 2023, kur ishte marrë në cilësinë e të dyshuarit për rastin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se kishte qenë në shtëpi kur është kontaktuar nga policia për t’u paraqitur në stacionin policor në Gjakovë, ndërsa nuk i kujtohet ora e saktë e paraqitjes, por sipas tij, në Prishtinë ka arritur rreth orës 20:00.

Sipas deklarimit të tij, intervistimi kishte filluar rreth 30 minuta pas mbërritjes në Polici.

Duke u përgjigjur në pyetjet për trajtimin nga organet e rendit, Kokalla tha se nuk ishte keqtrajtuar fizikisht gjatë intervistimit.

Megjithatë, ai theksoi se gjatë kohës para nisjes së intervistimit, hetuesit i kishin thënë se ai ishte “kryesori” i rastit.

“Ma tregun pse më kanë arrestu, më thanë që ti je kryesori, edhe pse nuk e ke ngreh gishtin, ti e ke bë të gjithë skenarin dhe është në interesin tënd dhe tonin të tregosh si e ke bërë skenarin”, deklaroi Kokalla.

Ai shtoi se gjatë kësaj periudhe nuk kishte qenë i pranishëm avokati i tij.

Nis seanca për vrasjen e Liridona Ademajt, jep mbrojtjen i akuzuari Kushtrim Kokalla

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë paraqitjen e mbrojtjes së tij do ta japë i akuzuari i tretë për vrasjen e Liridona Ademajt, Kushtrim Kokalla.

Sipas aktakuzës, Kokalla ngarkohet se në bashkëkryerje me të pandehurit Naim Murseli dhe Granit Plava ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas aktakuzës, pasi që Naim Murseli ka kërkuar nga Kushtrim Kokalla të gjejë mundësi për vrasjen e Liridona Ademajt dhe ai ka refuzuar, Kushtrimi ka gjetur të pandehurin e dytë, Granit Plava, me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin. Të tre akuzohen se janë dakorduar që Graniti ta kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’i paguajë kompensim në shumë prej 30 mijë eurove. Dyshimet janë se Murseli më 29 nëntor 2023 ka siguruar armën e zjarrit, të cilën ia ka dhënë Plavës e që armën e ka përdorur për vrasjen e së ndjerës Liridona Ademaj.

Image

Gjithashtu, i akuzuari Kushtrim Kokalla ngarkohet edhe për veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.

Në deklaratën e dhënë në polici më 1 dhjetor 2023, i pandehuri Kokalla kishte deklaruar se nga viti 2019 është pjesëtar i FSK-së. Ai ka thënë se Naim Murselin e ka djalë të dajës dhe të hallës, ndërsa Granit Plavën e ka bashkëfshatar dhe se njihen qysh kur kanë qenë të vegjël.

Kokalla kishte deklaruar se një javë para ngjarjes kishte qenë te Murseli në shtëpi dhe më pas ishin takuar me Granit Plavën. Atë natë, tha se i kishte shkruar Murseli dhe ia kishte kërkuar numrin e Plavës dhe se pas 2-3 ditësh ishin takuar, ku Murseli ia kishte dhënë Kokallës 300 euro për këstin e kredisë për të cilën thotë se ka hyrë për Murselin, ndërsa Plavës ia kishte dhënë 500 euro. Për këto të fundit, ka thënë se nuk kishte ide pse iu dhanë atij.

Sipas aktakuzës, Kokalla më 29 nëntor 2023 kishte biseduar me të akuzuarin Murseli dhe sipas tij në atë bisedë Murseli i ka kërkuar të takohen dhe u takuan rreth orës 9:30, ku i kishte thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, që sipas Kokallës kishte të bënte me vrasjen e Liridonës. Ai tha se rreth një vit i akuzuari Murseli e kishte lutur që ta kryente vrasjen.

“Naimi që afër një vit mua më ka lutur që ta kryej këtë vrasje unë. Atëherë unë i kam thënë nuk vjen në shprehje që ta bëjë këtë punë unë dhe mos më thuaj më asnjëherë”, pati deklaruar ai.

Image

Sipas Kokallës, Murseli i kishte thënë se do ta thërrasë Granitin dhe do të takohej me të dhe se sipas tij më pas nuk ka pasur më asnjë kontakt. Vetëm në mbrëmje, kur e kishte thirrur një shok për ta pyetur nëse i kishte parë lajmet, e kishte kuptuar për vrasjen e Liridonës.

Kokalla kishte thënë se, pasi e kishte kuptuar lajmin, kishte marrë familjen dhe kishin ardhur në Prishtinë në stacion policor dhe se pas përfundimit të procedurave policore, për të mos e lënë vetëm, kishte shkuar në hotel me Murselin.

Kokalla ka deklaruar se me t’u futur në dhomën e hotelit, i akuzuari Murseli i është drejtuar me fjalët: “e kreva këtë punë”.

Kokalla pati deklaruar në polici se e ka menduar ta lajmërojë rastin, por se ka qenë i shokuar dhe i frikësuar për familjen e vet nga Murseli.

Sipas aktakuzës, Kokalla pati deklaruar se Murseli i ka ofruar para për këtë rast, por se nuk ka pranuar asnjëherë as para dhe as pas rastit.

Gjithashtu, Kokalla më 24 janar 2024 ka qenë i ftuar në Prokurori për të dhënë deklaratë, por ka shfrytëzuar të drejtën që të mbrohet në heshtje.

Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Murseli është deklaruar i pafajshëm. Plava nuk është deklaruar rreth fajësisë, ndërsa Kokalla ka kërkuar kohë për t’u konsultuar me mbrojtjen.

Një ditë më herët, në Gjykatë, i akuzuari Granit Plava tha se kishte marrëveshje me të akuzuarin Naim Murseli për ta marrë

Image

përgjegjësinë për këtë krim. Ai tha se Murseli i kishte premtuar veturë, pagë e punë të sigurt dhe se do të lirohej për dy vjet nga burgu.

Image
Image