Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Pallatit të Rinisë për keqpërdorim të mbi 137 mijë eurove
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj A.Z. dhe F.Rr., nën dyshimet për përfshirje në keqpërdorime financiare në ndërmarrjen Pallati i Rinisë SHA në Prishtinë.
Sipas aktakuzës, A.Z., në cilësinë e menaxherit të Financave dhe më pas ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv, dyshohet se gjatë viteve 2021–2022 ka keqpërdorur mbi 137 mijë euro të ndërmarrjes. Ai akuzohet se ka realizuar transfere të paautorizuara në llogari personale dhe të personave të tjerë.
Me këto veprime A.Z. ngarkohet për veprat penale “Përvetësimi në detyrë” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ndërkohë, i pandehuri tjetër, F.Rr., në cilësinë e zyrtarit përgjegjës për sigurim, dyshohet se ka ndihmuar A.Z., duke tërhequr mjete financiare në para të gatshme dhe duke ia dorëzuar atij.
Sipas Prokurorisë, në këtë mënyrë është mundësuar përfitim i kundërligjshëm në vlerë prej 9.250 eurove.
F.Rr. akuzohet për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale – ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’”.